Dervishaj kërkoi kohë për t’u konsultuar me Presidentin, shtyhet seanca në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e Metës
03 Shkurt, 2022 13:00
Madhësia e tekstit:
TIRANË
Shtyhet sërish seanca në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e Presidentit të Republikës, vendim i parlamentit. Seanca e radhës u vendos për më 7 shkurt në orën 10:00. Pas parashtrimit nga palët dhe pyetjet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit u tërhoq për vendim pasi Përfaqësuesi ligjor i Presidentit të Republikës Bledar Dervishaj kërkoi kohë për t’u konsultuar me Kreun e Shtetit për përgjigjet.
Seanca në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kërkesës së mazhorancës për shkarkimin ose jo të Presidentit të Republikës, Ilir Meta nisi në orën 10:00. Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se përfaqësuesit e Presidentit Meta mbërritën në seancë me një dosje voluminoze dhe dhanë argumentet e tyre mbi çështjen.
Kjo ishte eanca e dytë, pas asaj të zhvilluar dy ditë më parë, e cila përfundoi pas shumë orësh pa një vendim. Nga ambientet e Gjykatës Kushtetuese, gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se edhe seanca e sotme pritet të mbyllet pa një vendim final për fatin e Presidentit Meta, për shkak se si përfaqësuesit e Kreut të Shtetit, ashtu edhe gjyqtarët, do duan kohë.
Edhe kjo seancë pritet të jetë e gjatë dhe me shumë debate, ku tashmë ka nisur me avokatët dhe ekipin mbrojtës të Presidentit, të cilët pritet të japin të gjitha argumentet e tyre mbi çështjen. Më tej, ata do të njihen me pyetjet e relatorëve dhe gjyqtarëve, dhe siç raporton gazetarja Lala, ata do të kërkojnë kohë për t’u përgjigjur.
Por, edhe gjyqtarët do të duan kohë për të marrë vendimin final ndaj Presidentit, pasi ky nuk është një vendim që lidhet me emrin e Ilir Metës, por me mënyrën si funksionon Kreu i Shtetit dhe deri ku shtrihen kompetencat e Presidentit, gjë që do të vlejë edhe për emrat që do të drejtojnë këtë institucion në vijim.
Ndërpritet seanca në Kushtetuese, Gjykata i jep kohë Presidentit për përgjigjet Ora 13:00- Ka zgjatur rreth 3 orë seanca e sotme në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e vendimit të parlamentit për shkarkimin e Presidentit të Republikës.
Gjykata Kushtetuese nisur nga natyra e gjykimit dhe mban parasysh kërkesë për 48 orë kohë të përfaqësuesve të presidentit, shtyn seancën e radhës ditën e hënë në orën 10:00.
Dervishaj: Duam kohë për t’u konsultuar me Presidentin, GJK tërhiqet për vendim Ora 12: 45- Gjykata Kushtetuese është tërhequr për vendim pasi Përfaqësuesi ligjor i Presidentit të Republikës Bledar Dervishaj ka kërkuar kohë për t’u konsultuar me Kreun e Shtetit për përgjigjet. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se GJK do të vendosë se sa kohë do i japin ekipit të Presidentit për t’u përgjigjur.
Seanca në Kushtetuese/ Zbardhen pyetjet e gjyqtarëve për përfaqësuesit ligjorë të Presidentit Meta Ora 12:40- Zbardhen disa nga pyetjet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për përfaqësuesit ligjorë të Presidentit në seancën e sotme ku shqyrtohet shkarkimi i Kreut të Shtetit. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se vetëm gjyqtari kushtetues Përparim Kalo, i cili është relator i çështje ka bërë mbi 30 pyetje.
FJONA PAPAJORGJI
4 muajt e fundit Kuvendi s’mund të ngrejë komisione hetimore. Nuk mendoni se duhet të përdoret ndonjë formulim tjetër në këtë pikë të nenit?
Ka ndonjë kufizim tjetër për kuvendin, qoftë dhe në periudhën fundore të mandatit të tij?
Në lidhje me pretendimin tjetër që keni ngritur për mosmarrëveshjen kushtetuese dhe kërkoni ndërhyrjen e gjykatës për zgjidhjen e saj. Mendoni se mënyra e ngritjes së kësaj mosmarrëveshje është e duhura?
Neni 90 pika 2 e kushtetutës parashikon togfjalëshin “shkelje e rëndë e kushtetutës”. Ju thatë s’ka asnjë fakt apo dispozitë për shkelje të Kushtetutes…ju pretendoni se s’ka lidhje fare shkelje të Kushtetutës, apo s’ka shkelje të rëndë të saj?
ELSA TOSKA
Ju kërkoni shfuqizimin e vendimeve të Kuvendit, duke u marrë vetëm me anën procedurale, por nuk merreni me përmbajtjen. Përse ky qëndrim i juaji?
Presidenti gjatë periudhën zgjedhore ka krijuar një platformë “denonco zgjedhjen”. Mund të na thoni nëse ka praktika të ngjashme nga presidentët e mëparshëm? A mendoni ju që ky portal mbivendosje të kompetencave te institucioneve?
Presidenti është subjekt i pakushtëzuar që mund të vërë në lëvizje Kushtetutën. Për një nga vendimet që GJK ka dhënë vjet. Meta reagoi me shkresë për gjyqtarët kushtetues. Pyetja është si e kupton presidenti rolin e tij si subjekt i pakushtëzuar dhe si e sheh ai rolin e gjyqtarit kushtetues?
Pse zgjodhi Presidenti i Republikës të shkojë fizikisht në selinë e një partie politike?
Me çfarë lloj metodologjie mund të matet rritja apo ulja e autoritetit si përfaqësues i unitetit të popullit? Cilat do të ishin ata parametra që mund të na bënin ne që përmes disa akteve apo qëndrimeve autoriteti i presidentit është rritur dhe nuk është ulur?
Ju mbi çfarë parametrash do ta vlerësonit institucionin e presidentit nëse me të njëjta sjellje dhe qëndrime për të cilat kuvendi e ka shkarkuar, presidentit nuk i është ulur autoriteti, por i është rritur?
MARSIDA XHAFERLLARI
Rëndësia që ka procedura në këtë lloj procesi? Do doja qëndrimin mbi këtë çështje duke marrë në konsiderate pretendimin tuaj për urgjencën me të cilën u veprua?
Në prapësimet tuaja jeni ndalur te procedura por nuk jeni zgjeruar tek faktet. Me konfirmoni nëse e kam kuptuar drejt që ju pretendoni se faktet janë të paplota?
Një nga shkeljet që është lidhur me rolin e Metës është marrëdhënie e tij me institucionet e pavarura, ku janë treguar një seri veprimesh të presidentit. A keni pasur ju kundërpërgjigje nga këto organe të pavarura, qoftë me shkrim apo ndonjë ankesë ose kallëzim për ndërhyrje ne institucionet e pavarura?
Çfarë specifike ka parimi i vazhdimësisë institucionale nga njëra legjislaturë tek tjetra?
Një procedurë për shkarkim e presidentit mund të bazohet tek shkelja e rëndë e kushtetutës apo edhe kryerjes së krimit të rëndë. Qëndrojnë veç e veç apo të dyja së bashku?
Një nga shkeljet është ajo e formulës së betimit. A keni koment për këtë?
Presidenti nuk mund të jetë anëtar partie. Cili është qëllimi sipas jush?
Do doja rëndësinë që ka legjitimiteti në këtë proces?
ALTIN BINAJ
Pretendoni se është cenuar e drejta për t’u dëgjuar e presidentit. Çfarë natyre ne vlerësimin e presidentit kjo shkelje në të gjithë procedurën. Është thelbësore?
Për fazat e tjera të funksionimit të Kom hetimor dhe marrja e vendimit nga Kuvendi. Ka qenë koha e mjaftueshme për Metën dhe përse nuk e shfrytëzoi për tu dëgjuar?
A ishte e mjaftueshme mbrojtja me përfaqësuesit e tij apo duhet të paraqitej personalisht?
Në lidhje me pjesën përmbajtësore te vendimit. Por këtu mund të vazhdojmë nëse pohohet vërtetësia e thënieve të presidentit në media?
A pranon presidenti që ka fyer fyerje ndaj personave publikë apo e kundërshton këtë fakt?
Lidhur me situatën e krizës e vlerësuar prej tij, ju thatë që Meta bërë përpjekje për të adresuar problemet. Në kushtet që presidenti ka këto shqetësime dhe vendos ti bëjë të ditura publikisht. A ka detyrimin të jetë të përmbajtur në reagimet publike?
SONILA BEJTJA
Në lidhje me rekomandimet e lëna për ligjin organik të presidentit. Nga përgjigjja që morëm nga kuvendi është në fazë draftimi. Ju jeni përfshirë në grupin e punës për hartimin e këtij ligji që ka të bëjë me kompetencat e presidentit?
Në lidhje me procedurë e Komisionit Hetimor ngrini pretendimin e afatit 4 mujor dhe këmbëngulet për ratifikimin e punës. Mendoni se kjo do ta shuante funksionimin e punës së këtij Komisioni? Mbi bazë ligjore mund të bëhej?
VITORE TUSHA
Ju keni parashtruar si mosmarrëveshje kompetence gjithë procesin e ngritjes se Komisionit dhe procedure e ndjekur në këtë rast duke parashtruar si një hakmarrje apo te për të ndërhyrë në kompetencat e presidentit nga ana e Kuvendit. Do doja të ishit më konkret se cilat janë efektet që ka sjellë kjo sjellje e kuvendit në minimizimin e rolit të Kreut të Shtetit?
Ju flisni për krizat për legjislaturën e kaluar. Dua të di si lidhet ky parashtrim me çështjen konkrete? E lidhni këtë fakt apo e parashtroni? Sjell kjo ndikim?
KUVENDI
Në 2019 Meta u paraqit ne Kom Hetimor kur diskutohej për shkarkimin. Ndërsa në procedurën e fundit 2021, kur u votua dhe shkarkimi nuk u paraqit. Çfarë ndryshoi?
Përfaqësuesit e Presidentit: Vendimi i Kuvendit të mos miratohet, nisma e komisionit fiktive, bie ndesh me parimet kushtetuese
Ora 11:00- Ekipi mbrojtës i Presidentit i paraqiti gjykatës Kushtetuese argumentet mbi bazën e të cilave kërkojnë mosmiratimin e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Ilir Metës nga detyra për shkelje të rënda të Kushtetutës.
Bledar Dervishaj tha se nisma e komisionit është fiktive dhe bie ndesh me parimet kushtetuese, pasi erdhi në kohen e tranzicionit të legjislaturave.
Dervishaj tha se në asnjë paragraf të deputeteve apo të komisionit hetimor nuk është paraqitur asnjë dispozitë e vetme apo një akt i vetëm i presidentit që tregon se ai ka shkelur kushtetutën.
Ai tha se gjatë procesit u shkelen parime të rëndësishme si ai i procesi të rregullt ligjor, parimi i balancimit të pushteteve dhe pavarësisë së tyre.
“Hetimi i komisionit ishte me qëllim paralizimin e punës se presidentit”, deklaroi Dervishaj. Sipas tij, kuvendi u përpoq që të tregonte në publik sikur presidenti kishte bërë shkelje.
Ai e cilësoi procesin politik me qëllim hakmarrjen ndaj Metës dhe për të shmangur vëmendjen nga gjithë problematikat që dolën nga zgjedhjet e 25 prillit. Presidenti, sipas tij ishte i vetmi institucion që i ka dalë përballë qeverisë në veprimet e saj antikushtetuese dhe presidenti ka qenë i vetmi që është përpjekur të garantojë konkurrencën në zgjedhje pasi qeveria e ndryshoi Kushtetutën në mënyrë që të favorizonte veten dhe të dobësonte opozitën.
Seanca u shty për të hënën me qëllim që ekipi i Metës t’u përgjigjet pyetjeve të gjykatës dhe Kuvendit.
“Komisionet hetimore nuk mund të ngrihen në periudhë zgjedhjesh”, Dervishaj: Janë shkelur parimet e shtetit të së drejtës. Shkarkimi, hakmarrje
Ora 10:40- Përfaqësuesi i Presidentit Meta deklaroi në seancë se Komisionet hetimore nuk mund të ngrihen në periudhë zgjedhjesh duke iu referuar komisionit hetimor për shkarkimin e Kreut të Shtetit.
“Edhe nëse një veprimtari hetimore ka nisur, në zbatim të ligjit për komisionet hetimore ka për detyrë ta ndërpresë atë sepse komisionet hetimore nuk mund të ngrihen dhe të funksionojnë në periudhë zgjedhjesh.
Përveç kësaj, kuvendi përmes këtij procesi hetimor ka tentuar të ndërhyjë në mënyrën sesi presidenti kërkon të ushtrojë kompetencat e tij. Gjë që tregon se kuvendi ka shkelur parimin e ndarjes së pushteteve edhe pse në mungesë të lëndës për të shkarkuar presidentin, përsëri janë shkelur të gjitha parimet e shtetit të së drejtës, si ai i paanësisë.
Që me zhvillimin e zgjedhjeve të 2017, OSBE vuri re blerje votash, vjedhje etj.
Në seancën e kaluar u morën shembuj të doktrinave kushtetuese të shteteve të ndryshme, por nuk i ngjajnë aspak asaj të shtetit shqiptar.
Pas shkurtit të vitit 2019 kur u tërhoq opozita, dhe kur nisi punë shkarkimi i presidentit, grupet parlamentare nuk përfaqësonin opozitën.
Këto dhe disa të tjera tregojnë që ky proces shkarkimi është bërë me qëllim hakmarrjeje.
Gjithashtu kuvendi ka përccuar në publik mesazhin se sikur kuvendi qëndron mbi palët dhe duke marrë kompetencat e institucionit të Presidentit.
Kriza tjetër politike ishte zgjedhja e prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm, i cili u zgjodh me 69 vota, në kundërshti të kushtetutës. Ky ishte shkaku i parë i thellimit të krizës politike.
Pra, me këto grupe parlamentare, nuk u përfaqësuan partitë opozitare legjitime dhe si pasojë edhe vendimi për shkarkimin e presidentit nuk ka vlerë”, deklaroi Dervishaj.
Dervishaj: Kuvendi nuk ka zbuluar asnjë akt të Presidentit ku të kishte shkelur Kushtetutën
Ora 10:20- Teksa Kuvendi ka deklaruar se arsyeja e shkarkimit të presidentit është për shkelje të rënda të Kushtetutës, përfaqësuesi ligjor i presidentit tha se mbrojtja e Presidentit është një dosje me 140 faqe dhe se Kuvendi nuk ka zbuluar asnjë akt të Presidentit ku të kishte shkelur Kushtetutën.
Ai deklaroi se Presidenti i qëndron plotësisht kërkesave të 1 korrikut.
“Presidenti i Republikës pas marrjes së njoftimit të nisjes së procesit të shkarkimit të tij, ka mbajtur komunikim shkresor me kuvendin, duke i nisur ankesat apo këshillat që të mos binte ndesh me parimet kushtetuese.
Neni 90 i kushtetutës përcakton se nuk ka përgjegjësi në aktet e ushtruara gjatë detyrës se tij… duke e vlerësuar gjithë procesin e iniciuar për shkarkimin e kreut të shtetit, rezultoi se në asnjë paragraf të kërkesës së deputetëve apo të raportit të komisionit të ligjeve, nuk është arritur të zbulohet asnjë akt i vetëm i presidentit që mund të kishte shkelur në mënyrë të rreptë kushtetutën.
Edhe pse në mungesë të lëndës për të shkarkuar presidentin, përsëri janë shkelur të gjitha parimet e shtetit të së drejtës, si ai i paanësisë, parimi për një proces të rregullt ligjor”, tha Dervishaj.
(d.ç/m.k/BalkanWeb)
Sondazh
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb