TIRANË- Një ditë pas sekuestrimit të 500 kg marijuanë nga policia italiane në një operacion të përbashkët me policinë shqiptare dhe atë malazeze, Partia Demokratike ka akuzuar sot ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për lidhje me trafikun e drogës, duke e quajtur garant të trafikut.

Deputeti i PD-së, Flamur Noka tha se gomonia me drogë e nisur nga Vlora është vetëm një fragment i një trafiku të mirëorganizuar të tonelatave me hashash, ku janë të përfshirë Habilajt e Llanajt, drejtori i policisë Vlore dhe sigurisht gjithçka bëhet me mbikëqyrjen e Saimir Tahirit.

“Sasi të mëdha droge qëndrojnë në pritje për tu nisur drejt Italisë, në zonën e Çoles, në Dhërmi dhe në grykëderdhjen e Vjosës. Furgona të ngarkuar dhe garazhe e magazina ne Çole dhe përreth, kanë gati mallin për skafin ose gomonen e radhës. Të paktën 3 mijë ton hashash gjendet gati për tu trafikuar, dhe ruhet me policët besnik të Drejtorit të Vlorës, i cili është pika kyçe e Habilajve dhe Tahirit. Një biznes prej qindra milionë euro që ka nisur dhe është konsoliduar ditë pas dite qysh se ministër i brendshëm u bë Saimir Tahiri.

Një ditë përpara se gomonia me drogë të pikasej nga policitë fqinje në det, ne e paralajmëruam, unë e denoncova në Parlament. Sigurisht, Tahiri që është krenaria e Ramës heshti, nuk reagoi. Të nesërmen, megjithë këtë denoncim publik në parlament, në prani të medias kombëtare, sërish gomonia e ngarkuar me hashash doli në det dhe u nis për në Itali, tha Noka.

Ai vijoi më tej duke thënë se miliona euro çdo muaj ndahen mes banditëve e trafikantëve, Tahirit e shefit të tij. “Ky është pra shteti kriminal, grupimi mafioz me Tahirin e bandat e tij, që kontrollojnë drogën, që nga mbjellja, rritja, paketimi, magazinimi e deri tek transporti i saj. Ky shtet kriminal i zhytur në drogë po pasurohet me miliona euro të pista, teksa vendi po rrënohet, shqiptarët po varfërohen çdo ditë. Shqiptarët nuk mund ta pranojnë këtë shtet kriminal. Është në dorën e qytetarëve të bashkohen, e ti hapin vendit një rrugë të re,  larg sundimit të krimit të veshur me pushtet e pushtetit të veshur me krim”, përfundoi ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: