Epidemiologu, Ilir Alimehmeti është ndalur tek varianti i ri i COVID-19, Flurona.

Në një analizë në ‘Facebook’ Alimehmeti sqaron se çfarë ndodh kur ka dy viruse në qarkullim.

“Nëse hipotetikisht 10% e popullatës është e infektuar me SARS-CoV-2, siç po ndodh me variantin Omicron, dhe 0.1% e popullatës është me grip, mundësia për t’i pasur të dyja është: 10% x 0.1% = 0.01%.”, bën me dije Alimehmeti.

Referuar disa studimeve të publikuara edhe në faqen e tij në Facebook, epidemiologu sqaron se infektimi i njëkohshëm me grip dhe SARS-CoV-2 është jashtëzakonisht shumë i rrallë dhe në rastet e identifikuara ka prekur persona të rinj që relativisht janë të shëndetshëm.

Por Alimehmeti i kushton rëndësi edhe mënyrës së përhapjes së informacionit, ku shprehet se shumë njerëz u shqetësuan më kot nga ermi “Flurona”, duke shtuar se  nuk duhet larguar nga fokusi edhe shëndeti mendor.

Po ashtu Alimehmeti e shoqëron analizën e tij me thënien Josette Sheeran, se “çdo 10 sekonda vdes një fëmijë nga uria” dhe për këtë nuk shkruan askund.

Statusi:

“Çdo 10 sekonda vdes një fëmijë nga uria!”

Cit.: Josette Sheeran

Për vdekjet nga uria nuk shkruajnë mediat ndërkombëtare, sepse nuk ka interes, nuk ka klikime, se ai që nuk ka bukë normale që nuk ka as internet!

Por për infektimin e njëkohshëm me grip dhe SARS-CoV-2 mediat ndërkombëtare, jo vetëm që shkruajtën gjerë e gjatë, por i krijuan edhe një emër të përveçëm: “Flurona”!

Shumë njerëz u shqetësuan më kot nga ky lajm, por mos harroni miqtë e mi se mediat nuk mendojnë për pasojat e shëndetit mendor te lexuesit, por vetëm për klikimet!

Le të shohim bashkë se çfarë ka ndodhur me Fluronën në SHBA gjatë pandemisë COVID-19.

Studiuesit e qendrës elitare Mayo Clinic në SHBA prepublikuan më 05 janar 2022 të dhënat e pacientëve të shtruar me Covid-19 gjatë periudhës Janar 2020 – Janar 2022, pra praktikisht gjatë të gjithë pandemisë.

Në total u përfshinë në studim:

3.003 spitale të rrjetit CMS (Centers for Medicare & Medicaid Services),

171.639 pacientë të shtruar me SARS-CoV-2, nga të cilat

73 raste totale me Flurona në dy vite.

Pra, shifra qesharake me Flurona për të cilën u shqetësua globi ishte:

0.043% e pacientëve, ose

1 pacient ndër 2.325 të shtruar me SARS-CoV-2.

Le të hedhim një hap prapa e të kuptojmë çfarë ndodh kur ka dy viruse në qarkullim.

Nëse hipotetikisht 10% e popullatës është e infektuar me SARS-CoV-2, siç po ndodh me variantin Omicron, dhe 0.1% e popullatës është me grip, mundësia për t’i pasur të dyja është: 10% x 0.1% = 0.01%.

Studiuesit e Mayo Clinic e kanë studiuar këtë fakt dhe përllogaritën se mundësitë e Fluronës ishin akoma më të ulëta nga sa pritej. Për shembull:

Gjatë periudhës së variantit Delta u gjetën 9 pacientë me Flurona, ndërkohë që priteshin 13.9.

Gjatë periudhës së variantit Omicron u gjetën 54 pacientë me Flurona, ndërkohë që priteshin 80.9.

Në një popullatë prej 330 milionë banorësh përgjatë dy viteve miqtë e mi, e kuptoni?!

Në konkluzion, autorët shprehen:

Infektimi i njëkohshëm me grip dhe SARS-CoV-2 është jashtëzakonisht i rrallë dhe më së shumti ka prekur persona të rinj dhe relativisht të shëndetshëm.

Dr. Shk. Ilir Alimehmeti

Epidemiolog Klinik

Fakulteti i Mjekësisë, UMT

Akademia e Shkencave të Shqipërisë

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb