Trishtimin e rrënjosur në sy, nga humbja e dy prindërve pak kohë më parë, ua ka zbehur një dritë shprese e ndezur në jetët e tyre së fundi. Megi dhe Myftar Çuku ishin ende dy fëmijë të mitur, kur jeta i përkundi në dramën e të qenit jetim. Historia e dy fëmijëve, e prezantuar nga emisioni “STOP”, i ka prekur të gjithë, por mbi të gjitha duket se ka ndërgjegjësuar “Woodrow Wilson”, shkolla, e cila vendosi të ishte drita në fund të tunelit të errët, ku kishin “ngecur” dy fëmijët të pa shpresë dhe të trembur nga e ardhmja. Mesa duket ka ende akte të mira në Shqipëri dhe jofitimprurëse, ashtu si “Woodrow Wilson” na demonstroi me këtë rast dhe jo vetëm.
Sot Megi është nxënëse në klasë të 7 në shkollën “Wilson”, ndërsa Myftari në klasë të 5, pranë kësaj shkolle prestigjioze. Të dyve u është ofruar shkollimi, konvikt si dhe ushqim përgjatë gjithë këtyre viteve, deri në fund të gjimnazit pranë kësaj shkolle serioze. Për dy fëmijët kjo nuk është vetëm një mundësi arsimimi, por një derë drejt një të ardhmeje të siguruar. Miqtë dhe bashkëmoshatarët e Megit dhe Myftarit, i kanë mirëpritur në shoqëri, duke u lehtësuar sadopak këtë dhimbje. Edhe pse fati u tregua i ashpër me ta, shkolla “Woodroë Wilson”, u ka dhënë një mundësi të dytë, për të nisur një jetë të re, të mbushur me suksese.
Megjithatë kjo nuk është hera e parë që kjo shkollë ndërmerr të tilla vepra, që më shumë sesa bamirësi, janë një kontribut ndaj shoqërisë sonë. Më herët fëmijë të policëve të vrarë në krye të detyrës, apo edhe fëmijë nga shtresat e varfra shqiptare, kanë përfituar bursë, pranë “Woodrow Wilson”, duke siguruar një të ardhme të shkëlqyer.
(Bluetooth/BalkanWeb)
