Vendimi i dhënë sot nga Gjykata e Tiranës, është dënimi i dytë që merr Izet Haxhiaj, në lidhje me vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike Azem Hajdari në 1998-ën.
Teksa beteja e tij gjyqësore u rikthye sërish nga e para për gjykim, togat e zeza dënuan sot me 21 vite heqje lirie Haxhinë (Heren e pare u denua ne shkallen e pare me 25 vite burg). Por pavarësisht provave të parashtruara të prokurorisë në seanca, Haxhiaj ka mohuar gjithmonë se ka pasur gisht në vrasjen e Hajdarit.
Po çfarë ka dëshmuar Haxhiaj për këtë ngjarje? BalkanWeb sjell si më poshtë dëshmitë e tij në sallat e gjyqit.
SEANCA E 25 NËNTORIT TË 2021
Izet Haxhia tha se nuk e nxori ai në pritë Hajdarin, ish-deputetin e PD-së, ndërsa akuzoi si autor të vrasjes Fatmir Haklajn.
“Nuk e nxora unë Azem Hajdarin në pritë. Para se të vritej, Hajdari ishte në takim me Sali Berishën. Azemi u njoftua se jashtë PD ishte një mjet me tritol. Kur e informoi këshilltari, ishte në zyrën e Berishës. Kur doli te makina, Azemi trokiti te xhami. Jaho Mulosmani ishte shofer i makinës, nuk qëlloi. Ai që qëlloi ishte Fatmir Haklaj. Kur ndodhi ngjarja, unë isha me Halil Haklajn. Unë e Azemi kemi qenë bashkëthemelues të PD. Jam ndjerë shumë i përdorur. Vrasja u bë për të rrëzuar Fatos Nanon. Fatmir Haklaj më tha se nuk kishte shkuar për të vrarë Azemin.”, tha Haxhia.
AKUZAT NDAJ BERISHËS
Në një nga seancat gjyqësore, që u mbajt në 24 qershor të 2018-ës, Haxhia akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se ka paguar 1 milion euro për eliminimin e tij në Turqi te klanet mafioze turke. “Në historinë postkomuniste të Shqipërisë, dosja e shekullit është tregues i futjes së duarve. I futjes së duarve në drejtësi, nga dy klanet kriminale, të malësorëve të Skraparit dhe të Tropojës. Unë le të dënohem dhe pse unë e kam vuajtur dënimin në Turqi. Përpos të gjithave, unë dua të dëgjohem. Nuk kam ardhur më herët sepse edhe gjatë kohës që kam qenë në Turqi, i janë paguar nga klanet kriminale politike, 1 milion euro trafikantëve në Turqi për eliminimin tim fizik”, tha ai në sallën e gjyqit.
(BalkanWeb)
