Më shumë se 10-të vende iu kanë kërkuar qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina, mes paralajmërimeve nga fuqitë perëndimore se një pushtim nga Rusia mund të jetë i pashmangshëm. SHBA, Britania e Madhe dhe Gjermania janë ndër ata që iu thanë shtetasve të tyre të largoheshin. Shumë vende, përfshirë Australinë, Italinë, Izraelin, Holandën, Japoninë, si dhe Shqipëria iu kanë thënë qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina. Disa kanë evakuuar gjithashtu stafin diplomatik dhe familjet e tyre.
Moska ka grumbulluar rreth 100,000 trupa përgjatë kufirit të Ukrainës, por mohon çdo qëllim për të pushtuar. BBC shkruan se trupat ruse po organizojnë gjithashtu stërvitje ushtarake në Bjellorusi në veri, ndërsa stërvitjet detare në Detin Azov në jug-lindje kanë çuar në akuza se Rusia po bllokon hyrjen e Ukrainës në det.
Në një telefonatë, presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi përsëri liderin rus Vladimir Putin për kostot e çdo pushtimi.
Mediat e huaja bëjnë të ditur, se gjatë bisedës Biden i ka bërë të ditur Putinit se “, nëse Rusia ndërmerr një pushtim të mëtejshëm të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara së bashku me aleatët dhe partnerët do të përgjigjen me vendosmëri dhe do të imponojnë kosto të shpejta dhe të rënda për Rusinë.”
Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se paralajmërimet e pushtimit mund të ngjallnin panik, të cilin ai e quajti “miku më i mirë i armiqve tanë”.
Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se një pushtim mund të ndodhë në çdo kohë dhe mund të fillojë me bombardime nga ajri. Rusia i karakterizoi akuza të tilla si “spekulime provokuese”.
(BalkanWeb)
