TIRANË

Kreu i PD-së Lulzim Basha nuk ka dhënë emra teksa është pyetur për deklaratat e tij me të cilën i bëri thirrje SPAK-ut të arrestojë ministrat e përfshirë në aferën e inceneratorëve para se të shkarkohen nga kryeministri Edi Rama.

Ai tha se i referohet precedentëve si në rastin Tahiri apo Koka dhe se sa herë drejtësia i afrohet krerëve të aferës, shtyhen jashtë radhës.

Gjithsesi ai theksoi se e kujtdo të jetë radha, nuk mbaron pa shkuar tek i pari i qeverisë.

“Fjalë ka plot, siç i kam dëgjuar unë, i keni dëgjuar dhe ju. Por unë nuk i referohem fjalëve, i referohem precedentëve dhe precedentët janë sa herë drejtësia nën presion publik, nën presionin e PD, pse jo dhe nën presionin dhe të aleatëve, sa herë që i janë afruar një ministri, ai ministër papritur ka dhënë dorëheqjen dhe më pas është bërë subjekt i drejtësisë. Ky ka qenë rasti me Tahirin dhe me Kokën. Kjo është përvoja. Sa herë nxehtësia e drejtësisë i afrohet një prej krerëve të aferës shtyhen jashtë radhës pastaj mundohen me lloj marifetesh të zgjasin procesin.

E kujtdo të jetë radha, nuk mbaron radha pa shkuar tek i pari i punës që është i pari i qeverisë”, deklaroi Basha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb