TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Shëndetësisë se janë përfituesit e vetëm të reformës në shëndetësi.

Basha ka sjellë disa shembuj dhe dokumente, sipas të cilave analizat e check up-it nuk bëhen fare ose bëhen sa për të kaluar radhën.

“Falas” me lekët e taksapaguesve, gjysmën e vjedhin vetë! Edi Rama ka hapur një front mashtrimesh dhe propagande boshe për shëndetësinë, në përpjekje për të mbuluar vjedhjen 338 milionë euro dhe degradimin e plotë të spitaleve dhe të këtij shërbimi jetik. Fytyra e vërtetë e shëndetësisë sonë është e kundërta e dokrrave të tij”, deklaron Basha.

Kreu i PD-së tha se 338 milionë euro janë dhënë për tendera por nuk ka shërbim të mirë shëndetësor.

“338 milionë euro tendera, por a ka shqiptar që merr sot shërbim më të mirë shëndetësor? A ka sot më shumë ilaçe apo ilaçe më të mira në spitale? A ka kushte më të mira për shtrimin dhe shërbimin ndaj pacientëve? Mjafton një analizë e megavjedhjes me check-up për të dëshmuar shëndetësinë e Edi Ramës. Ku lekët merren, por analizat nuk bëhen fare ose bëhen sa për të kaluar radhën. Si kjo këtu, ku qytetarja ka dalë me vlerën e proteinës 25, çka do të thotë se gruaja është në gjendje të rëndë dhe në shtratin e dializës. Ndërkohë, për fat të mirë, zonja gëzon shëndet të shkëlqyer, dhe si Dëshmitare e Jehovait ecën gjithë ditën në këmbë. Apo ky rasti tjetër ku check-up e nxjerr me diabet por analizat e privatit thonë se pacienti është në gjendje të mirë shëndetësore”, ka thënë kreu i PD-së.

Sipas tij të vetmit përfitues nga “reforma në shëndetësi“, ‘janë Edi Rama, Ilir Beqa, Vilma, emigranti i Peruxhias me një punëtor, dhe një dorë tjetër oligarkësh dhe klientësh që po fusin në xhep paratë e shqiptarëve’.​

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: