Tirana mendon vetëm për vazhdimësinë ndaj Kastriotit. Trajneri i bardhebluve, Orges Shehi, në rrëfimin e tij për “Panorama Sport”, pohoi se fokusi është te sfida me krutanët dhe jo tek ajo që do të prodhojë dueli i ndjekësve, Laçi-Kukësi. Ashtu si e përgjithshmja e opinionit sportiv, edhe Shehi e pranon se Tirana e ka vetë në dorë fitimin e titullit, ku radhit edhe arsyet. Duke ditur se në lojë janë më shumë pikë sesa kanë fituar, trajneri kërkon qetësi dhe vazhdimësi nga lojtarët dhe vlerësim i çdo kundërshtari, duke filluar nga Kastrioti. Timonieri i bardhebluve ka prekur edhe disa tema të tjera, ku konfirmoi gjobitjen e Limajt, jo për kartonin e llogaritur, por për daljen me vonesë te zëvendësimi. Orges Shehi pohoi se është një tip i qetë në drejtim, ku arrin të kontrollojë emocionet, si dhe vendos vetë përpos se gjatë ndeshjeve dëgjohen thirrjet me zë të lartë të drejtorit Osmani. Trajneri durrsak e quan rastësi që stafi bardheblu është i gjithi kampion me Skënderbeun, por ai e shikon skuadrën e tij si më të mundshmen për të pasur një cikël fitues si korçarët e periudhës së artë, ku ai bënte pjesë.

Vendi i parë, 4 fitore radhazi dhe 6 pikë më shumë se vendi i dytë. Çfarë nënkuptojnë këto shifra për trajnerin e Tiranës, Orges Shehi?

Nuk janë vetëm këto katër fitore radhazi, pasi ne kemi ecuri të mirë. Kemi raport të kënaqshëm pikësh, pasi në të dyja fazat kemi marrë 40 pikë, të ndara 20 dhe 20 pikë. Fazën e tretë e kemi nisur me dy fitore, gjë të cilën nuk e kishim bërë në dy fazat e para. Shpresojmë të vazhdojmë me këtë ritëm.

Për të ruajtur ritmin duhet të kaloni skuadrën që mban vendin e fundit. Si e shikoni transfertën me Kastriotin?

Kastriotin nuk duhet ta shikojmë si vendi i fundit. Nga janari dhe deri tani, Kastrioti ka marrë pikë më shumë se disa skuadra të tjera që janë më lart se krutanët. Pra, është një skuadër që po bën mirë dhe është një kundërshtar që duhet respektuar dhe nuk duhet parë kurrë si vendi i fundit.

Limaj i bie të jetë mungesë e llogaritur, pasi lojtari e ka pranuar vetë që të verdhin e kishte marrë me vetëdije për ta “djegur” këtë javë pezullimin nga kartonët…

Nuk mendoj se është mungesë e llogaritur. Nuk e di se çfarë ka deklaruar Limaj, por personalisht e kam gjobitur lojtarin. Çdo lojtar mërzitet kur ndërrohet, por duhet të vijë shpejt dhe t’i japë dorën shokut tjetër. Nuk kemi kohë për llogari, por nuk e di se çfarë ka thënë lojtari në lidhje me këtë rast.

Gjoba ka të bëjë për mosdhënien e dorës së lojtarit te ndërrimi?

Jo, për vonesën në momentin e zëvendësimit, gjë e cila u bë shkak edhe për marrjen e kartonit. Po e përsëris, nuk kemi kohë për llogaritje.

Kjo Tiranë e ka treguar forcën me të gjithë rivalët. A mendon Orges Shehi se ekipi që drejton është në rrugën e titullit?

Për të shkuar te titulli, janë edhe 16 javë për t’u luajtur, që përkthehen në 48 pikë. Pra, pikët në lojë janë më shume se ato që kemi ne aktualisht. Mendoj se jemi në rrugën e duhur. Por, një ekip që të ketë objektiva maksimalë, duhet të ketë stabilitet dhe këtë gjë ne e kemi deri tani. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm, por nuk e mendojmë të përfunduar apo gjithçka është e lehtë. Madje, tani fillon e vështirësohet më shumë gara.

Opinioni i përgjithshëm është se Tiranës mund t’ia heqë titullin vetëm vetja e saj. Pra, keni rival vetveten. Jeni dakord me këtë?

Opinioni mund të ketë të drejtë, pasi Tirana e ka vetë në dorë çështjen e titullit. Themi kështu, pasi Tirana nuk ka skuadër tjetër para që duhet ta kapë. Pra, e kemi në dorë vetë. Duhet të ruajmë përqendrimin, të vlerësojmë kundërshtarët, të ruajmë dëshirën për të bërë mirë dhe mos pasur limite.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: