Kthehet dhuna në stadiumet shqiptare. Aldi Gjumsi çahet në kokë, pasi goditet nga një send i hedhur nga një tifoz i Kastriotit. Një skenë e shëmtuar u regjistrua në minutën e 90-të të sfidës mes Kastriotit dhe Tiranës të zhvilluar në stadiumin e Kamzës, e cila përfundoi me rezultatin 2-1.

Tifozët krutanë, të pranishëm në stadium, goditën me sende të forta futbollistin e Tiranës, Aldi Gjumsi, duke i çarë kokën këtij të fundit, i cili u detyrua të zëvendësohej.

Vlen të theksohet fakti se edhe një nga futbollistët e Kastriotit, Neziri, u godit me sende të forta nga tifozët e Tiranës, në minutat e shtesës. Menjëherë ndërhyri policia, teksa është një i shoqëruar nga tifozët krutanë, për shkak të hedhjes së një guri, i cili goditi lojtarin e Tiranës, Gjumsin.

REAGIMI – Lojtari i Tiranës është çarë në ballë dhe menjëherë ka lënë fushën dhe është transportuar në Spitalin e Traumës ku i është nënshtruar një minioperacioni.

Mjekët e kanë kuruar, ndërsa plaga ka pasur me katër të qepura. Lojtari në mbrëmje është thirrur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku ka dhënë versionin e tij për ngjarjen, deklaratë kjo në të mirë të hetimit për të gjetur autorin.

“Ishte minuta e 85-të. Isha në lojë dhe nga ana ku ishin tifozët e Kastriotit, me goditën me gurë. Plagën e kam në ballë. Për momentin jam mirë.

Plagën e kam më mirë. Mora mjekimin nga stafi dhe e kam qepur me 4 penj”, tha në fillim Gjumsi për “Panorama Sport”. Nga ana tjetër, lojtari i Tiranës pohoi se asnjëherë nuk i kishte ndodhur një rast i tillë, ndërsa askush nuk kërkoi ndjesë nga skuadra kundërshtare.

“Asnjëri nga ata nuk më erdhi të fliste: ‘Si je’, jo më të thoshin: ‘Të kaluara’.

Një ngjarje e tillë nuk më ka ndodhur asnjëherë”, vazhdoi më tej sulmuesi i bardhebluve.

Në fund Aldi pohoi se kërkon vetëm drejtësi, teksa sipas tij edhe familja është qetësuar pas momentit të parë./PANORAMASPORT.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb