TIRANË
Ish-ministri i Financave Shkëlqim Cani ka dëshmuar sot në Komisionin Hetimor për çështjen e inceneratorëve.
Cani u pyet nëse ka pasur ndonjë shqetësim të veçantë kur është diskutuar në Këshillin e Ministrave kontrata, ai tha se nuk i kujtohet të ketë pasur ndonjë shqetësim të veçantë. Ai tha se përgjigja e kthyer nga ministria që drejtonte nuk është trimëri, por zbatim i detyrës.
Tabaku: Kur është diskutuar në Këshillin e Ministrave kjo kontratë ka pasur ndonjë shqetësim të veçantë?
Nuk më kujtohet të ketë pasur ndonjë shqetësim të veçantë. Përgjigjet në këshillin e ministrave i kishim dhënë mendimet paraprakisht.
Nuk është ndonjë trimëri e madhe që të kthesh përgjigje që neni aq kërkon këto dokumente. Kemi bërë një rutinë burokratike, detyrën e juristëve dhe ekonomistëve të Ministrisë së Financave madje të mësuar me këto negativitete që s’ka para për buxhetin. Është pjesë e punës tonë.
Nuk mbaj mend të kem diskutuar me z.Ahmetaj.
Tabaku: Si e keni ndjekur çështjen e inceneratorëve? Si e gjykoni riskun financiar që është vendosur mbi buxhetin e shtetit me inceneratorin e Tiranës.
Felaj: Nuk lejohen pyetje të tilla. Nuk është thirrur si ekspert, por për të dëshmuar.
Cani: Do të flas me aktet ligjore të kohës dhe me dijet e kohës. Sot është tjetër gjë. Më mirë të mos ma kishit bërë këtë pyetje dhe për shumë arsye të tjera. Do ta kisha ndërruar dhe letrën po të kisha dijeni. Po letrat janë të shkruara. Këtë qëndrim kam mbajtur. Nuk e di a do e mbaj më këtë qëndrim.
Felaj: Komunikimin që keni pasur me Ministrinë e Mjedisit, autoritet kontraktor për inceneratorin e Elbasanit, ka zgjatur apo është mbyllur me një komunikim?
Cani: Të jeni e sigurt që është një komunikim i vazhdueshëm që kur kemi marrë pyetjen e parë. Komunikimi është normal. Unë nuk të kthej përgjigje po s’më sigurove. Po në këtë praktikë i kemi kthyer dhe përgjigjen përfundimtare. Një seri letrash mes institucioneve.
Felaj: Ky komunikim për çfarë shërbente, mes ministrave? Operohej vetëm me shkresa, apo dhe mënyrë tjetër për tërheqjen e komunikimeve nga autoritetet qendrore?
Cani: Patjetër që ka dhe duhet të ketë dhe mënyra të tjera të komunikuarit. Kryeministri mund të thërrasë paraprakisht ose mbase lidhen dhe ministrat me njeri-tjetrin dhe komunikojnë. Deri tani kemi folur për komunikimin zyrtar me shkrim mes institucioneve.
Felaj: Më 10.12.2014 ka qenë komunikimi juaj i fundit me ministrinë e Mjedisit që kishte nisur që në gusht. Pyetja ime e parë a jeni ndjerë nën presion? E kujtoni përgjigjen që keni dhënë?
Cani: Do doja t’i jepja një përgjigje dhe më të përgjithshme, nuk di se çfarë quhet presion. Ka disa momente për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Së pari kjo përgjigje nuk ka ardhur papritur, ka ardhur në vazhdën e asaj që thoni ju, nga gushti deri në dhjetor. Ishim në dijeni të dokumentacionit. Aty është thënë në vijim të bisedimeve që tregon se është një vazhdë bisedimesh dhe ne ishim në dijeni dhe për këtë. Unë nuk i di këto, tani i kam mësuar që janë 16-17 përgjigje. Secili përgjigjej për ministrinë e vet. Nuk ishte problem ta ktheja përgjigjen dhe brenda ditës sepse unë i kisha dokumentet dhe më përpara, por jo ashtu si e kërkonte ligji. Mendoj për presion, ishte presioni i buxhetit dhe i parashikimeve që duhet të përfshiheshin se sa ndonjë presion tjetër.
