NGA ARMIR MEHAJ*

Qyteza e Lufit në Pukës edhe pse është një ndër zonat e populluara të kësaj krahine prej 20 vitesh nuk njeh qoftë dhe një investim që do i përmirësonte banorëve diçka nga infrastruktura e rrënuar, thuajse tërësisht.

Sikur të mos mjaftonte mungesa e ujit, rruga tërë gropa, pallatet në të shembur dhe mungesa e kushteve më elementare për jetë normale, banorët e kësaj zonës sot kur flitet aq shumë për shëndetësinë modern nuk kanë një qendër shëndetësore që do ishte pak apo shumë garanci për shëndetin e tyre.

Pamjet e Qendrës Shëndetësore të Luf Qerretit (një zonë përgjatë aksit nacional Pukë-Shkodër) janë dëshmi e qartë e përkujdesjes për këta banorë.

Godina tashmë me të gjithë elementet e saj është kthyer në të papërdorshme e bluzat e bardha janë sistemuar në një mjedis pranë Njësisë Administrative thuajse i njëjtë me atë që lëshuan për nga kushtet dhe lagështira.

Mjekët pranojnë realitetin, të pafuqishëm për të ndryshuar diçka teksa janë ngopur me premtime që nuk u bën kurrë realitet. Drejtori i Qendrës Shëndetësore të Luf Qerretit, mjeku Nush Mekeshdeda thotë se Qendra Shëndetësore është thuajse në të shembur. “Jemi sistemuar në mjediset e ish-komunës, por edhe këtu kushtet janë të njëjta, e shikoni vetë lagështirën. Këtu bëjmë vizita dhe terapitë ditore. E dimë se nuk janë kushtet normale por kjo nuk është në dorën tonë” shprehet Mekeshdeda.

Një “Kambanë alarmi” që nuk i bënë askujt përshtypje teksa qëndron prej vitesh në këtë gjendje mbetet Qendra Shëndetësore e Luf Qerretit në Pukë ndërsa si kjo mund te gjesh dhe plote të tjera në fshatrat e thelle atje ku banorët jetojnë me kujtimet shkuara të funksionimit të Shërbimit Shëndetësor.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb