Egnatia-Kastrioti ishte projektuar si një sfidë e “zjarrtë”, një sfidë që pritej të thoshte shumë në garën për mbijetesë, dhe e tillë rezultoi, një 90-minutësh i luftuar për çdo top, tension, kontestime por në fund atë që festojnë janë rrogozhinasit pas një goli në limite të Ademit. Kastrioti u përpoq të dilte qoftë dhe me një pikë nga kjo transfertë jetike, por Egnatia besoi deri në fund duke marrë një trepikësh të artë që i largon gjithnjë e më shumë nga zona e ftohtë.

Pas një pjesë të mbyllur me rrjeta të paprekura, Egnatia kaloi në avantazh në minutën e 58-të pas një penalltie të ekzekutuar saktë nga Krasniqi.

Të shtyrë nga dëshira për të mos dalë pa pikë, Kastrioti filloi të shtynte më shumë drejtë sulmit dhe minutën e 73-të fituan një 11-metërsh, i konfirmuar nga VAR. Nga pika e bardhë e penalltisë, Kaina nuk gaboi duke barazuar shifrat në 1-1.

Atëherë kur gjithçka po shkonte drejt fundit, në minutën e 90-të, Ademi me kokë dërgoi topin në rrjetë dhe tifozët rrogozhinas në delir, një gol tre pikësh që e mban Egnatian në vendin e 7-të në kuotën e 22 pikëve, dy më shumë se Dinamo.
(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb