Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Sali Shehu, komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24, luftën ruse në Ukrainë, që ka hyrë sot në ditën e gjashtë. Shehu e quajti Presidentin Vladimir Putin të çmendur dhe e krahasoi me Hitlerin, teksa tha se do tentojë t’i shkojë deri në fund marrëzisë së tij për pushtimin e Ukrainës.

“Teksa ndiqja sot Parlamentin Evropian, m’u duk sikur të ishte Parlamenti ukrainas. Presidenti Zelensky për mua është politikani i kohëve moderne. E drejta është me Ukrainën. Ata do ja dalin. Ushtritë pushtuese asnjëherë nuk ja kanë dalë të shkojnë në pikën e fundit të qëllimit që kanë, për shkak se nuk kanë motivin, as mbështetjen, as arsenalin e duhur. Ukraina është një shtet i pavarur, një vend i fortë, i qëndrueshëm. Na ka dhënë një leksion të gjithëve ne për të kuptuar se ç’është dashuria për vendin.

Hitleri nuk e ndaloi, derisa ja hoqi vetes. Edhe Putini kishte një mundësi me raundin e parë të negociatave të kompertohej me sjelljen dhe ofertën e gjithë botës, për të ndaluar sulmet, në mënyrë që të flasim. Mijëra ushtarë rusë janë sot në territorin e Ukrainës, qindra janë të vrarë e shumë janë të kapur robë. Nuk është kjo dëshira e popullit rus sot. Besoj që dëshira e popullit rus është që Ukraina të jetë në paqe, e qetë, e pavarur. Kjo është thjesht një dëshirë e çmendur e Presidentit të Rusisë, i cili dyshoj se i ka hyrë detit në këmbë.

Putini do t’i shkojë marrëzisë deri në fund, sipas të dhënave, por unë besoj se nuk do ja dalë. As në Luftën e Dytë Botërore bota nuk ka qenë e pozicionuar kaq fortë kundër një fuqie, siç është Rusia sot. Unë besoj se sot Rusia nuk është madhe, thjesht ka në krye një lider autoritar, që po na jep të kuptojmë se po ngjan me Hitlerin. Në Ukrainë sot janë në rrezik gra, fëmijë, të vjetër, të rinj. Rusët duhet t’i thërrasin mendjes e të kuptojnë se nuk bëhet sot luftë me ushtarë në terren. Brezi i ri nuk e pranon këtë”, tha Shehu.

Sa i përket efekteve që lufta mund të ketë në Shqipëri, Shehu u shpreh se ato mund të jenë më shumë efekte ekonomike, pasi në plan strategjik, vendi ynë nuk rrezikon, sepse është anëtar i NATO-s. Për efektet ekonomike, Shehu i bëri thirrje qeverisë që të nisë menjëherë marrjen e masave për parandalimin e rritjes së çmimeve, si dhe të parandalojë shpenzimet e tepërta në xhepat e shqiptarëve.

“Sigurisht që kur një luftë ndodh, të gjithë vendet përreth kanë efektin domino. Por, kjo është në pikëpamjen ekonomike. Mendoj se qeveria duhet të jetë më pranë interesave dhe zhvillimeve të kohës. Qeveria duhet t’i paraprijë me një paketë masash, që të parandalojë çdo shpenzim të tepërt nga xhepat e shqiptarëve. Duhet të nxjerrë një akt të menjëhershëm për të parandaluar rritjen e çmimeve. Sa i përket rrezikut strategjik, Shqipëria është vend i mbrojtur, se është vend anëtar i NATO. NATO-n nuk e prek njeri në botë, po preke atë, ke prekur të zezën. Shqipëria duhet të jetë e vëmendshme dhe solidare, siç është, duhet të jetë e hapur të presë ukrainasit e t’i strehojë.

Në rajon ndodhi një gjë interesante, Serbia braktisi “Balkan Open”, duhet të ishte bërë pjesë e Evropës e të vendoste sanksione, por mesa duket ka zgjedhur Putinin. Rajoni tani është bërë më interesant, se Shqipëria e Maqedonia nuk besoj se do të jenë më kurrë pjesë e asaj nisme “Balkan Open”. Rusia po shkon përditë e më tepër drejt një destinacioni pa krye, po çon financat dhe ekonominë drejt fundit. 90% e qytetarëve rusë sot janë kundër lëvizjes së Putinit dhe ky i fundit po shpërdoron në mënyrë brutale besimin e popullit të tij”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb