Kastrioti ka marrë një fitore të madhe në Kamëz ndaj Skënderbeut, me rezultatin 1-0 dhe tashmë krutanët janë në zonën play-out, duke fundosur korçarët. Një ndeshje plot tension që në fillim pa nisur sfida.

Ndeshja duhet të niste në 13:45, por filloi me disa minuta vonesë. Kjo si pasojë e një momenti tensioni në tunelin e dhomave të zhveshjes mes dy skuadrave. Arbitri kryesor Juxhin Xhaja thërriti Didën dhe Bajramin, duke i ndëshkuar me karton të kuq. Sfida ka rifilluar më pas normalisht me nga 11 lojtarë për secilën skuadër, duke zëvendësuar të ndëshkuarit.

Ndeshja është zhbllokuar në minutën e 26-të. Randi Dumfur ndëshkon skuadrën e tij me një autogol, teksa ishte krejtësisht i pafat, pasi një top i goditur në portë, përfundoi në shtyllë dhe më pas ai pa dashje e shtyn në rrjetë. Kaq mjaftoi në pjesën e parë.

Edhe në pjesën e dytë krutanët luajnë më mirë. Në fillim të këtij fraksioni për pak sa nuk shënojnë golin e dytë. Më pas korçarët pretendojnë për penallti. Gjithsesi, vendasit janë më të rrezikshëm.

Ndërsa Laçi nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola në fushën e tij ndaj Egnatias. Një hap fals i kurbinasve në luftën për titull, teksa tashmë diferenca me Tiranën kryesuese është 8 pikë.

Të besuarit e Mirel Josës dominuan takimin, por nuk ishte e thënë që topi të hynte në rrjetë. Tre shtylla të vendasve, por jo gola. Egnatia merr një pikë me shumë vlerë në luftën për mbijetesë.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb