Gjermania duhet të ngrijë menjëherë asetet e oligarkëve rusë si pjesë e sanksioneve ndaj Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë, kërkoi të enjten ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck.

“Pasuritë e oligarkëve duhet të ngrihen menjëherë dhe unë supozoj se agjencitë përkatëse të qeverisë federale do të ndërmarrin hapat e nevojshëm,” u tha Habeck gazetarëve në Berlin pas bisedimeve me drejtuesit e biznesit gjerman.

Procesi i ngrirjes së aseteve të miliarderëve rusë në Gjermani do të përfshijë ministritë e financave dhe drejtësisë të Gjermanisë, si dhe kancelarinë, shtoi ai.

Që nga pushtimi i Putinit në Ukrainë, qeveritë perëndimore kanë kërkuar të ngrijnë asetet e oligarkëve jashtë shtetit së bashku me ato të Putinit, si dhe t’i pengojnë ata të udhëtojnë.

Qëllimi është i dyfishtë: Sanksionet veprojnë si një ndëshkim për klasën sunduese të Rusisë dhe si një përpjekje për të detyruar Putinin të tërhiqet.

Dje, Departamenti Amerikan i Drejtësisë tha se po hap një njësi speciale për të ndihmuar në zbatimin e sanksioneve kundër zyrtarëve të qeverisë ruse dhe oligarkëve, duke synuar jahtet, avionët, pasuritë e paluajtshme dhe asetet e tjera të tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb