Nga: ARMIR MEHAJ*
PUKE – Tashmë duket se çdo gjë ka përfunduar, Fabrika e Pasurimit të Bakrit dhe Miniera e Munellës nuk do të hapen për një kohë të pacaktuar, por punonjësit do të paguhen.
Më në fund me ndërmjetësimin e Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës, kompania turko-kineze BerAlb pranoi që të lidhte kontratën kolektive të punës me ish-punonjësit, duke u zotuar se këta të fundit që kanë punuar në minierë dhe ata të Fabrikës së Pasurimit do të paguhen me një pagë nga 14 deri në 250 mijë lekë në muaj.

Po kështu BerAlb ka marrë përsipër dhe pagesën e kontributeve të Sigurime Shoqërore dhe atyre shëndetësore. Lajmin e ka pohuar vetë kreu i Sindikatave të Pavarura në Pukë, Gjon Zekaj, i cili pohon se falë këmbënguljes se Sindikatës, tashmë punonjësit do të paguhen çdo muaj me një pagë bazë edhe pse nuk do të punojnë.

Pagesa e punonjësve sipas Gjon Zekës do të zgjasë deri me datë 22 qershor të vitit 2017, gjë për të cilën u nënshkrua dhe marrëveshja mes kompanisë dhe përfaqësuesve të Sindikatës me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës.

Zeka bënë të ditur se u desh një përpjekje e gjatë, prej afro pesë muajsh që kompania ti përgjigjej kërkesave ligjore në mbrojtje të minatorëve në Fushë Arrëz e Munellë, ndërsa të gjendur përballë presioni që nuk kishte kompromis u detyrua që të nënshkruante kontratën.

Po kështu një tjetër pikë e marrëveshjes se arritur së fundmi në mesin e BerAlb dhe Sindikatave të Pavarura është dhe rikthimi në punë i të gjithë punonjësve në momentin kur kompania do të rifillojë punën në Minierë dhe Fabrikë.

BerAlb, koncesionari i nxjerrjes dhe pasurimit të Bakrit në zonën e Munellës ndërpreu aktivitetin me 19 gusht të vitit 2015, ndërsa bëri të ditur se aktiviteti u ndërpre për shkak të rënies së çmimit të bakrit nën koston e prodhimit, çfarë i kishte sjellë humbje të mëdha kompanisë turko-kineze. Përkundër ndërprerjes së aktivitetit kompania ka vijuar të paguajë punonjësit, deri me 31 dhjetor 2015, ndërkohë që vijimi i pagesës u bë i mundur të shtyhej deri në qershorin e vitit 2017.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb