TIRANË- Rreth 40 persona janë shoqëruar deri tani për vrasjen e 41-vjeçarit me dy identitete, Xhevahir Brasha dhe Agim Caka në Fllakë të Durrësit. Policia dyshon se vrasja ka lidhje me një konflikt të vjetër të tij në Londër, Angli, ku jetonte prej vitesh, e veçanërisht në aktivitetin e paligjshëm që dyshohet se kryente 41-vjeçari, atij të trafikimit të njerëzve, me qëllim emigracionin ilegal në Britani. Policia shton se dyshohet se vrasja mund të ketë ndodhur për hakmarrje.

News24 ka qenë në familjen e 41-vjeçarit të vrarë mbrëmjen e djeshme në Durrës, djali i vetëm i familjes Brasha. Të afërmit sqarojnë se përse Xhevahiri njihet me dy identitete, duke theksuar se para 20 vjetësh ai kishte shkuar si refugjat nga Kosova me emrin Agim Cakaj e me këtë emër është regjistruar në Britani, ku ka marrë edhe pasaportën britanike që mori vite më vonë, si shtetas kosovar.

Në të vërtetë, sipas familjarëve, ky identitet i përket burrit të motrës së 41-vjeçarit të vrarë. Ata sqarojnë se me dokumentet angleze ka hyrë e ka dalë në të gjithë Europën dhe vinte në Shqipëri çdo vit. 41-vjeçari Brasha u qëllua në pritë me 3 plumba pas shpine pranë banesës së tij në Fllakë të Durrësit, ndërsa kthehej në shtëpi. Vijojnë hetimet për identifikimin e autorit të ngjarjes.

(ma.ar/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: