Në disa qytete ruse janë duke u mbajtur protesta për të kundërshtuar pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga presidenti rus, Vladimir Putin.
Në këto protesta, deri më tani, janë arrestuar mbi 650 persona.
OVD-Info, që monitoron arrestimet në protesta, tha se deri në orën 17:00 sipas kohës lokale të Moskës, policia ka arrestuar 658 persona gjatë protestave në 35 qytete ruse. Të paktën, 289 prej tyre janë arrestuar në Moskë, tha kjo organizatë e pavarur.
AFP ka raportuar se kushdo që nuk ka dëshmi që është punonjës i mediave po arrestohet. Kjo agjenci tha se një grua e re u arrestua pasi bërtiti “paqe për botën”.
Në Shën Petersburg, po ashtu është raportuar për arrestime.