Rusia është pezulluar nga kompeticionet europiane dhe botërore të futbollit, duke humbur kështu të drejtën për të garuar me ekipe dhe me ekipin kombëtar.
Trajneri i njohur rumun Mircea Lucescu, që aktualisht drejton Dinamo Kiev, por që më parë ka qenë edhe në krye të ekipit rus Zenit dhe atij ukrainas Shakhtar Donetsk, ka dalë kundër UEFA-s dhe FIFA-s, duke thënë se sportistët rusë nuk kanë lidhje me atë që po ndodh jashtë fushës së blertë.
“Unë mendoj se sporti nuk ka lidhje fare me politikën dhe ekonominë. Sporti është kulturë, në Rusi kanë nevojë të qëndrojnë të gjallë. Njerëzit kanë nevojë për emocione. Nuk jam dakord me heqjen e të drejtës së sportistëve rusë për të marrë pjesë në garat ndërkombëtare.
Ata nuk kanë lidhje me luftën që po bëhet në Ukrainë, sporti vetëm mund të ndihmojë” – tha ndër të tjera trajneri 76 vjeçar, që mbetet një nga të rrallët që nuk ka duartrokitur vendimet e marra nga instancat e larta të futbollit evropian dhe atij botëror.
(BalkanWeb)
