TIRANË- Disa ditë më parë u prezantuan edhe uniformat e reja policore, për të cilat u miratua edhe vendimi nga qeveria. Por sot Partia Demokratike akuzoi ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për korrupsion me uniformat e policisë. Por kush janë kompanitë që kanë fituar tenderin për qepjen e këtyre uniformave?
News24 zbulon se tenderi për dizajnimin dhe qepjen e 27 mijë e 900 copë uniforma policore të Ministrisë së Brendshme, është fituar nga bashkimi i operatorëve të kompanisë Shqiptare “Marsi&Al” dhe një kompanie turke “Yakupoglu Tekstil”, kjo e fundit e njohur në Turqi si më e madhja kompani për prodhimin e veshmbathjeve ushtarake.
Kompania Shqiptare “Marsi&Al” që prej qershorit të 2014 administrohet nga biznesmeni 30-vjeçar Genc Tufi. Ajo është regjistruar në QKR në mars të 2012, ndërkohë ish-administratorja Engjëllushe Disha, i ka shitur aksionet në 20 qershor të 2014.
Në garë për të fituar tenderin me vlerë 117 518 390 lekë ka qenë dhe kompania “Gjergjefi” me qendër në Bilisht, e cila ka fituar gjatë qeverisjes së PD një herë këtë tender. Interes në këtë garë ka pasur dhe bashkimi i operatorëve ekonomik “Alfreddo Grassi” S.P.A dhe “D&E” sh.p.k, të cilët janë tërhequr duke mos dhënë asnjë ofertë.
Procedura tenderuese e ministrisë së Brendshme fillimisht është hapur në 19 nëntor të 2015, por brenda ditës ajo u anulua nga Agjencia e Prokurimit Publik. Pas anulimit të procedurës, për efekt të mangësisë së dokumentacionit, zyrtarët e ministrisë kanë rihapur sërish tenderin dhe në datën 1 dhjetor të 2015 kanë mbyllur procedurën. Pas shqyrtimit të ofertave, është konstatuar se kompania “Gjergjefi” kishte paraqitur ofertën prej 111 418 250 lekë “Pa TVSH”, ndërsa kompania tjetër garuese, ka dalë me një ofertë më të ulët se kjo, duke paraqitur shifrën prej 91 917 500 pa TVSH.
(m.k/BalkanWeb)
