I ftuari i dytë në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte gazetari i njohur sportiv Dëfrim Methasani, i cili sikurse të gjithë të ftuarit rrugëtoi nëpër kujtime dhe bëri një rrëfim të rrallë për jetën e tij.
Dëfrim Methasani për rreth 9 vitesh ka qenë mësues i edukimit fizik në shkolla të ndryshme të Dibrës, dhe në program kujtoi me nostalgji atë periudhë të jetës së tij, teksa zbuloi edhe se si më pas në rrugëtimin e tij erdhi gazetaria.
Dëfrim Methasani tha se sporti dhe letërsia kanë qenë dy nga ëndrrat e tij. Ai tregoi se si fillim nisi në Radio Tirana dhe më pas ishte hapur një konkurs në Radio Televizionin Shqiptar ku kërkonin korrespondentë sportivë.
Në konkurs morën pjesë 28 veta, nga të cilët vetëm dy do të mund të fitonin. Të gjithë konkurrentët u dërguan në stadiume të ndryshme dhe dy kornikat fituese do të transmetoheshin në edicionin e mbrëmjes në RTSH. Dëfrim Methasani kujtoi emocionet e mëdha të momentit kur gazetari i mirënjohur sportiv Vladimir Grillo prezantoi kronikën me emrin e tij.
Dëfrimi foli edhe marrëdhënien e ngushtë që ka patur me të ndjerin Vladimir Grillo për 25 vite me radhë, “Një ikonë e ekranit, një legjendë, ishim si një familje”. Ai tha se po bën një dokumentar për të, “Zëri që na mungon”, dhe zbuloi se do të transmetohet pas disa ditësh.
Ndërkohë gjatë bisedës u shfaq edhe një fotografi me Cristiano Ronaldon, të cilin Dëfrimi e cilësoi si kujtimin më të bukur të jetës së tij. “E kam takuar 3 herë. Me shumë dëshirë ka pranuar fotografinë, është realizuar një ditë para ndeshjes, kur ekipi i Portugalisë po bënte stërvitjen në stadiumin Qemal Stafa”, tha ai.
