Deputetë të PD i kanë kërkuar Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, megjithëse ajo u anulua pas dorëzimit të mandatit nga deputeti i PS Alqi Bllako.
“Në mbështetje të nenit 13, pika 6 dhe nenit 118 të rregullores së Kuvendit të Shqipërisë kërkojmë thirrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ditën e mërkurë, datë 30.03.2022, ora 18:00 për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, depozituar në Kuvendin e Shqipërisë me shkresën nr.1274 prot., datë 29.03.2022, për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë z. Alqi Bllako, së bashku me relacionin përkatës të arsyetuar”, thuhet në kërkesë.
Kërkesa është firmosur nga deputetët Ervin Salianji, Gazment Bardhi, Greda Bardeli, Saimir Korreshi, Enkelejd Alibeaj.
Më herët Nikolla anuloi mbledhjen e thirrur për mandatin e Bllakos me arsyetimin se ai ka depozituar në Kuvend deklaratën për heqjen dore nga mandati i deputetit me vullnet të lirë.
“Në mbështetje të Urdhrit nr. 24, datë 30.03.2022, të Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla ‘Për anulimin e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin’, mbledhja e Këshillit nuk do të zhvillohet.
Deputeti Alqi Bllako ka depozituar në Kuvend deklaratën për heqjen dore nga mandati i deputetit me vullnet të dhe për rrjedhojë Kuvendi nuk mund të vazhdojë procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit Alqi Bllako”, njoftoi Kuvendi.
