Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Ish-pronarët që kanë aplikuar për kthimin dhe kompensim pronës në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe nuk janë njohur ende me vendimin e agjencisë, mund të kërkojnë informacion në lidhje me fazën në të cilën ndodhet dosja. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të pronave ka nënë në dispozicionin të pronarëve Formularin Tip, “informacion në lidhje me ecurinë e dosjes”, i cili duhet të plotësohet dhe të dorëzohet në agjenci për të njohur me fazën në cilën ndodhet shqyrtimi i saj.

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është e detyruar që brenda 15 ditëve nga momenti i dorëzimit të kërkesës t’i kthejë përgjigje pronarit në lidhje me ecurinë e dosjes. Në agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave janë në shqyrtim 26 mijë dosje, nga të cilat 15 mijë janë trajtuar me ligjin e vjetër dhe 11 mijë presin të shqyrtohen me ligjin e ri. Pronarët që nuk kanë marrë kompensimin dhe nuk janë në dijeni në lidhje me ecurinë dosjes mund të informohen përmes aplikimit në AKKP, duke plotësuar Formularin Tip për ecurinë e dosjes. Në regjistrin e kërkesave në AKKP ka një numër të konsiderueshëm kërkesash për informacion mbi dosjen dhe kërkesa për hapje dosjesh të reja gjatë vitit 2015.

Aplikimi
Për t’u njohur me ecurinë e dosjes, subjekti duhet të plotësojë dhe të paraqesë dorazi ose me postë pranë AKKP-së dokumentacionin, kërkesën përkatëse me shkrim për informim në lidhje me ecurinë e dosjes, fotokopje të kartës së identitetit, dëshmi trashëgimie dhe prokurë të posaçme. Në faqen zyrtare të AKKP-së mësohet se subjekti plotëson kërkesën me shkrim për informim në lidhje me ecurinë e dosjes pranë Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, në agjenci.

Më pas, kërkesa i kalon zyrës së protokollit, e cila pasi e protokollon, ia dërgon të gjitha kërkesat e ardhura drejtorit të përgjithshëm. Kreu i AKKP-ës ia delegon kërkesat sektorit përkatës për ndjekje dhe zbatim. Më pas, sektori përkatës përgatit informacionin e kërkuar dhe njofton subjektin. Në përfundim të shqyrtimit, subjekti paraqitet pranë zyrave të AKKP për të tërhequr shkresën e kthimit të përgjigjes në lidhje me ecurinë e dosjes, ose i dërgohet me postë sipas kërkesës. Aplikimi për kërkesën për informim mbi dosjen nuk ka kosto.

Formulari
Formulari i aplikimit për formacion në lidhje me ecurinë e dosjes është i ndarë në tri seksione. Aplikanti duhet të plotësojë gjeneralitet dhe adresën dhe jetë i pajisur me mjet identifikimi në momentin e aplikimit. Në seksionin e dytë duhet të jetë përshkruar në mënyrë të saktë se në lidhje me çfarë kërkon informacion pala e interesuar, në këtë rast pronari që ka aplikuar për kthim e kompensim prone. Dhe në seksionin e fundit janë të specifikuara pesë dokumentet që duhet të disponojë pronari në momentin e aplikimit.

Dosjet
Në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, ndodhen për shqyrtim 11 mijë dosje, të cilat presin të shqyrtohen dhe të marrin një vendim për kthimin e kompensim brenda tri viteve të ardhshme. Dosjet që nuk kanë një vendim deri në momentin e ndryshimit të ligjit do të trajtohen me ligjin e ri, i cili pak ditë më parë është botuar i plotë edhe në faqen zyrtarë të AKKP-së.

Sipas këtij ligji, për të gjitha kërkesat të cilat janë në shqyrtim në AKKP, në ditën e hyrjes në fuqi të tij, si edhe mbi të gjitha ato kërkesa, të cilat do të paraqiten brenda afateve të këtij ligji, sa i takon njohjes së të drejtës së pronës do të jenë pjesë e skemës së re të kompensimit të pronave. Gjithashtu, ligji i shtrin efektet sa i takon vlerësimit financiar për: ekzekutimin e të gjitha vendimeve, të cilat nuk janë zbatuar, për njohjen e së drejtës së kompensimit, të dhëna nga organet administrative ose gjyqësore në vendin tonë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: