Nga: KLODIANA LALA*
TIRANE – Zbardhen të tjera krime që sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda u urdhëruan nga i dënuari me burgim të përjetshëm, Admir Tafili. Në dosjen e organit të akuzës, me 13 të pandehur, ku në rolin e kreut të grupit kriminal është Tafili, ndërsa të pandehurit e tjerë janë ekzekutorë të krimeve, hidhet dritë mbi planin për të vrarë Majlind Lilën, si dhe marrjen me forcë të një borxhi prej 8.5 milionë lekësh që P.B. ia kishte Kalem Hykës.

Prova më e fortë e prokurorisë për të vërtetuar akuzat ndaj grupit kriminal të vrasësve me pagesë, është dëshmia e të penduarit Kristi Pine, i cili 24 orë pas arrestimit vendosi të rrëfente porositë që kishte marrë nga Tafilajt, personat që kishte ekzekutuar, mënyrën se si i kishte kryer krimet. Ai nxori në dritë gjithashtu edhe emrat e bashkëpunëtorëve si dhe hodhi dritë mbi një sërë krimesh që kishin mbetur pa autor.

Plani për vrasjen e Majlind Lilës
Në muajin dhjetor 2014, i pandehuri Kristi Pine në bashkëpunim me të pandehurit Fatos Koka, Elson Merdani dhe Albano Beqiraj kanë siguruar kushtet dhe mjetet për vrasjen e Majlind Lilës. Konkretisht ka rezultuar se Majlind Lila ka bërë kallëzim penal në lidhje me një problem që ka pasur me Mehmet Kokën dhe djalin e tij Rakip Koka, të cilët janë administratorë të një hidrocentrali që kanë bërë në tokën e tij, në vendin e quajtur Gjon-Martanesh, Bulqizë, konflikt për të cilin ai është në gjykatë që prej pesë vitesh. Me këta persona ai ka pasur dhe konfrontime fizike e verbale në lidhje me pronësinë e tokës. Në vitin 2010, në nëntor, poshtë pallatit të vëllait të tij kanë ardhur shtetasit Elton Koxheri dhe Shkëlqim Koxheri, së bashku me tre persona të tjerë, ku e kanë rrahur shumë keq, e kanë masakruar fare, saqë ka qenë në gjendje të rëndë.

Nga këta persona ai ka pasur kërcënime me jetë, në shumë mënyra, me anë të telefonit, si ai, po ashtu dhe gruaja e tij. Në datën 04.12.2014, rreth orës 13:20, ai ka qenë së bashku me motrën F. Gjoni, nusen e vëllait si dhe prindërit e nuses së vëllait, ku po përcillnim për në Greqi vëllain, Xhaferr Lilën. Autobusi ishte i kompanisë “L…”, që ndodhet te bulevardi “Zogu i Parë”. Aty ka vënë re të pandehurin Fatos Koka, së bashku me një person tjetër, që ishte i ri, afro 24 vjeç, trup i shkurtër afro 1.65 cm, flokët të zeza dhe të qethura anash shkurt, mbante të veshur një xhup të zi dhe mbante një palë syze të errëta, që ka rezultuar të ishte shtetasi nën hetim Kristi Pine.

I ka bërë përshtypje ky person, pasi nuk po ia shqiste sytë duke e parë, ndërsa Fatosi, kur ka vënë re që ai po e shikonte, është kthyer me kurriz për të ikur, por ky djali i ri e ka kapur për krahu dhe e ka tërhequr dhe e ka kthyer, ku kanë kaluar të dy përballë tij. Shtetasi Majlind i ka treguar vëllait se ky është personi që kishte konflikt dhe që e kishin rrahur në mënyrë brutale. Pasi i ka thënë vëllait, e ka parë dhe vëllai i tij dhe i ka thënë: “Hajde me mua, se dua të shkoj në tualet…”. Pasi ka dalë nga një lokal, kallëzuesi ka shpjeguar se ishte pak i tronditur, pasi të njëjtët persona ishin përballë tyre dhe vëllai i ka kërkuar që të largohej pa i dhënë dorën. Majlind Lila, ka kthyer kokën dhe ka parë sërish Fatos Kokën me personin tjetër, të cilët po shikonin në drejtimin e tyre. “Unë së bashku me motrën kam ikur me shpejtësi, pasi kisha frikë se mos më bënin ndonjë gjë”, shpjegon ai.

Pasi kanë kaluar disa kohë, në muajin shkurt, Lila ka parë në media se një person i moshës 24 vjeç është kapur, pasi dyshohej se ishte vrasës me pagesë. Të nesërmen ka parë në gazetë fytyrën e personit që policia kishte kapur si vrasës me pagesë dhe ishte i njëjtë me personin që kishte parë te stacioni i autobusit me të pandehurin Fatos Koka. Në ato momente ka menduar se Fatos Koka kishte për qëllim që t’i tregonte këtij personi që ta vriste. Kallëzuesi thekson se e ka të fiksuar shumë mirë fytyrën e këtij personi te stacioni i autobusit dhe i ka bërë përshtypje, pasi e shikonte drejt dhe nuk ia shkëpuste sytë. Gjithashtu, Majlind Lila deklaron se ai ruhet nga Mehmet Koka dhe Fatos Koka, pasi dyshon se duan t’i bëjnë ndonjë gjë atij dhe familjes së tij.

Rrëfimi i Kristi Pines
Në dëshminë e dhënë me datë 10 korrik 2015, lidhur me planin për vrasjen e Majlind Lilës, i penduari Kristi Pine ka shpjeguar si më poshtë: “Së bashku me Alban Beqirajn dhe Elson Merdanin, kunati i Admir Tafilit, kemi qenë me një mjet tip ‘Volkswagen’ dhe Elsoni më ka thënë se: ‘do takojmë atë personin për muhabetin që kemi bërë’, pasi kishim folur që në muajin nëntor për këtë gjë dhe se Elsoni kishte premtuar 15 mijë euro dhe një pistoletë 15-she, për të kryer një vrasje”.

Kristi Pine deklaron se Elsoni i ka treguar personin në afërsi të qendrës në Tiranë duke i thënë: “Ky është personi që do të takosh, është personi i punës për të cilën kemi bërë muhabet. Pas kësaj, Pine ka dalë nga automjeti dhe e ka takuar personin që ishte me gjatësi afro 1.75 cm, trup i shëndoshë, ndërsa Elson Merdani dhe Albano Beqiraj kanë qëndruar në automjetin tip “Volkswagen Passat” me targë AA 306 JO.

I penduari Kristi Pine ka përshkruar, përveç karakteristikave fizike të personit që do të takonte, edhe veshjen e tij si dhe faktin që mbante syze dielli. Personi që Kristi e përshkruan si i shëndoshë, flokë të shkurtër, i gjatë afro 1.75 m, fillimisht i thotë: “Ke bërë muhabet me atë”, duke nënkuptuar Elsonin, dhe pasi Kristi i përgjigjet: “Po, kam fol”, i ka treguar me dorë në drejtim duke i thënë: “Ky është personi”, që në atë moment ndodhej në krahun tjetër të rrugës. Pasi Kristi e pyet “Për sa”, ai i është përgjigjur: “Për 50 mijë euro”. Kristi i përgjigjet “OK”. Në atë moment, ky person që do të ishte si objektiv për t’u vrarë, ka shkëmbyer shikim me Kristi Pinen. Në këto momente Pine është kthyer dhe është futur në automjet ,ku e priste Elsoni, i cili e pyet: “Hë, mirë?”, dhe ai i përgjigjet: “Mirë, por të presë ky, se kemi halle të tjera”.

Nga dëshmia e Kristi Pines dhe përshkrimi i karakteristikave fizike të personit që ishte porositës i vrasjes, është bërë paraqitje për njohje me anë të fotografive, ku Kristi Pine, në të gjitha rastet e përsëritjes së veprimit të njohjes nëpërmjet fotove, ka njohur të pandehurin Fatos Koka si personin që e ka porositur për të vrarë Majlind Lilën, kundrejt një shume prej 50 mijë eurosh. Pine ka deklaruar gjithashtu se: “…ishte njohur nga Elsoni për faktin se ata(Fatos Koka dhe Majlind Lila) kishin një konflikt pronësie për një tokë ku do ndërtohej një hidrocentral”.

Vetëgjyqësia për borxhin
Admir Tafili, në bashkëpunim me të pandehurit Kalem Hyka dhe Besnik Daci, i ka marrë shtetasit P.B. shumën prej 8.500.000 lekësh, të cilat ky i fundit ia kishte borxh të pandehurit Kalem Hyka. Shuma e parave – thekson prokuroria – i është marrë P.B. pa përdorur rrugën e duhur ligjore, duke konsumuar në këtë mënyrë veprën penale të “Vetëgjyqësisë”. Konkretisht ka rezultuar që P.B. ka pasur marrëdhënie biznesi me të pandehurin Kalem Hyka gjatë viteve 2009-2012 dhe gjatë kësaj periudhe midis tyre janë krijuar detyrime të ndërsjella. Në vitin 2011, sipas deklaratës noteriale datë 13.01.2011, bërë para noterit, P.B. pranon se i ka detyrime që rrjedhin nga marrëdhënie e biznesit të pandehurit Kalem Hyka shumën prej 90.000 eurosh.

Gjithashtu ka rezultuar se i pandehuri Kalem Hyka i ka një borxh prej 13.000.000 lekësh të pandehurit Besnik Daci. Po ashtu, ky i fundit gjatë kohës që ka qenë në burgun e Bradasheshit, për efekt të një dënimi dhënë nga Gjykata e Elbasanit, është njohur me të pandehurin Admir Tafili dhe i ka marrë këtij të fundit borxh një shumë prej 1.000.000 lekësh. Duke qenë se P.B. nuk ia ka kthyer borxhin të pandehurit Kalem Hyka deri në muajin gusht 2014, në këtë kohë Kalemi ka komunikuar me të pandehurit Besnik Daci dhe Admir Tafili dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë marrë përsipër të ushtrojnë të drejtën e kreditorit ndaj shtetasit P.B., i cili, nëpërmjet djalit të tij, shtetasit O.B., i ka dhënë një apartament shtetasit Admir Tafili në qytetin e Vlorës. Këtë veprim e ka bërë duke e kaluar me kontratën e premtim-shitjes dt. 20.10.2014, bërë në Vlorë para noterit, në emër të R.R.

Arsenali i armëve
Nga hetimi ka rezultuar se gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient të përshtatur si magazinë në rrugën “Henrik Lace”, në katin e parë të kompleksit të pallateve “Gara-Jon”, në përdorim dhe çelësat e së cilës mbaheshin nga i pandehuri Kristi Pine, janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri tip “Scorpions” me numër të stampuar në trup 52755, së bashku me krehrin me dhjetë copë fishekë luftarakë të kalibrit 7.65 mm; një armë zjarri tip pistoletë pa krehër me mbishkrimin “Smith & Wesson” dhe me numra TDC 9670 mod 9604 me silenciator; një silenciator në formë cilindrike me diametër 3 cm dhe gjatësi 17.5 cm; pesë copë fishekë me mbishkrimin “S&B 9×21” dhe “MKF 9P”.

Prokuroria: Ja krimet që urdhëroi Admir Tafili
Prokuroria e Krimeve të Rënda për më shumë se një vit hetoi rreth veprimtarisë së një grupi kriminal që dyshohet se drejtohej nga Admir Tafili, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy vëllezërve në Shkodër. Në dosjen e prokurorisë, që tashmë i ka kaluar për shqyrtim gjykatës, janë renditur të gjitha krimet e bandës prej 13 personash. Ishte rrëfimi i të penduarit të bandës, Kristi Pine, që hodhi dritë mbi krimet e rënda. Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda rezultoi se grupi i personave merrte porosi dhe ka realizuar vrasje, disa të mbetura në tentativë, në këmbim të shumave të konsiderueshme të parave.

“Të pandehurit Admir Tafili, Kristi Pine, Elson Merdani dhe Dritan Peksani, në bashkëpunim, kanë kryer veprën penale të ‘Vrasjes me paramendim’ të shtetasit Ibrahim Mani, ngjarje e ndodhur në 25.06.2014, në Shkodër”, theksohet në dosje. I penduari Pine ka shpjeguar mënyrën se si e ekzekutoi Manin. Nga hetimi dyshohet se vrasja mund të jetë kryer për motiv hakmarrjen mes familjeve Mani dhe Prroni nga Shkodra, pasi Ibrahim Mani ka qenë në hasmëri me familjen Prroni nga fshati Oblike, pasi në vitin 1993, shtetasi Shuaip Prroni ka vrarë me armë zjarri Hysni Manin (vëllai i Ibrahimit). Pas disa vitesh, Shemsi Mani (babai i Ibrahimit) ka vrarë Shuaip Prronin. Familja Prroni ka dashur të marrë hak ndaj Shemsi Manit, por ky i fundit ka vdekur për shkaqe natyrale dhe, ndodhur në këto rrethana, Tarzan Shuaip Prroni, i biri i Shuaip Prronit, ka dashur të vrasë vëllain e Shuaipit, Ibrahim Manin. Për këtë vrasje dyshohet se ai ka kontaktuar në burg me të pandehurin Admir Tafili, me të cilin ka njohje, për të porositur këtë vrasje. Po ashtu, vrasja mund të jetë kryer edhe për shkak të faktit se shtetasi i dënuar Admir Tafili ka pasur dyshime se shtetasi Ibrahim Mani mund të ketë dhënë informacion te shtetas të tjerë me të cilët Admiri dhe familja e tij kanë hasmëri.

Të pandehurit Admir Tafili, Kristi Pine, Ardian Ozuni, Alfred Qefalia dhe Klajdi Shermadhi, në bashkëpunim midis tyre kanë kryer veprën penale të “Vrasjes me paramendim, mbetur në tentativë” të shtetasit Edmond Çakmashi, ngjarje e ndodhur në dt. 5.11.2013. Të pandehurit Admir Tafili, Kristi Pine, Aleksandër Gora dhe Elson Merdani kanë konsumuar veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” të biznesmenit durrsak Leonard Murataj. “Këta persona kanë planifikuar vrasjen e shtetasit Murataj, por nuk kanë mundur ta kryejnë, pasi është vrarë më parë nga persona të tjerë, për të cilët po vijojnë ende hetimet”, theksohet në dosje. Kristi Pine, Fatos Koka, Elson Merdani dhe Albano Beqiraj, akuzohen gjithashtu se në bashkëpunim midis tyre kanë siguruar kushtet për të vrarë Majlind Lilën, në dhjetor 2014.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: