Një sulmues goditi për vdekje një klerik mysliman shiit iranian të martën dhe plagosi dy të tjerë, njëri prej tyre rëndë, në qytetin e shenjtë të Mashhadit, thanë zyrtarët dhe mediat shtetërore.
Sulmuesi dhe katër bashkëpunëtorët e dyshuar u arrestuan pas sulmit të përgjakshëm në oborrin e faltores së Imam Rezait, tha Mohammad-Hossein Doroudi, kryeprokurori i qytetit verilindor.
“Sulmuesi është shtetas i huaj”, tha ai për agjencinë e lajmeve Fars, pa specifikuar vendin.
Mashhad, qyteti i dytë i Iranit, tërheq pelegrinët nga i gjithë vendi gjatë ngjarjeve fetare, duke përfshirë muajin e shenjtë mysliman të Ramazanit, i cili filloi të dielën në Iran.
Pamjet video amatore treguan një burrë të shtrirë në një pellg gjaku në oborrin e vendit me kupola dhe minare të arta.
“Një burrë goditi me thika tre klerikë shiitë, duke vrarë një dhe duke plagosur dy të tjerë,” tha guvernatori i provincës Khorasan Razavi, Yaghoub-Ali Nazari, duke shtuar se “një nga të plagosurit është në gjendje të rëndë”.
Sulmuesi i goditi teksa turma të mëdha besimtarësh ishin mbledhur në oborrin e faltores së Imam Rizait, të një prej figurave më të nderuara në Islamin Shiit.
Nga hetimet paraprake rezulton se sulmuesi këtë veprim e ka kryer nën ndikimin e rrymave tekfiriste”, ka shtuar Nazari.
Termi “tekfiri” përdoret për të përshkruar myslimanët që marrin përsipër t’i quajnë të tjerët si femohues dhe kështu i dënojnë ata me vdekje, dhe zakonisht u referohet ekstremistëve sunitë.
Fondacioni bamirës Astan Quds Razavi, i cili drejton faltoren, tha: “Me vigjilencën e haxhilerëve dhe përpjekjet e forcave të sigurisë, sulmuesi u arrestua menjëherë dhe iu dorëzua policisë, dhe të plagosurit u dërguan shpejt në spital.
“Identiteti i sulmuesit është nën hetim”, shtoi fondacioni, portofoli i madh i aseteve të të cilit menaxhohej nga viti 2016 deri në vitin 2019 nga presidenti i Iranit Ebrahim Raisi.
Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA publikoi pamjet me telefon celular të arrestimit të një sulmuesi të supozuar në të cilin u panë disa persona duke shtyrë një të ri në oborr.
Njerëzit u dëgjuan duke bërtitur “mos e rrihni!” në video, teksa disa tentonin ta pengonin të sulmohej.
Irani ka një popullsi prej 83 milionë banorësh, 90 për qind e të cilëve janë shiitë.
