Fal një super Karim Benzema, Real Madrid ëndërron për gjëra të mëdha këtë sezon, ëndërron të “pushtojë” Evropën, të fitojë Champions League. Carlo Ancelotti dhe i gjithë ambienti në Madrid i detyrohen shumë një lojtari në veçanti, Karim Benzema, i cili po përjeton një nga momentet më të mira në karrierë.

Benzema ka shënuar gola pafund në karrierën e tij, por pasi kaloi në 30-at është shndërruar totalisht, tani është kthyer në një lider që po udhëheq Real Madrid në beteja të mëdha. Një rol përcaktues në këtë ka edhe dalja nga skena e C.Ronaldo, që nga koha kur CR7 u largua nga Real Madrid, Benzema ka njohur vetëm rritje.

Nga PSG te Chelsea, një tjetër “tripletë” fantastike, e bukur për tu shijuar dhe e bukur për tu kujtuar. Benzema vërtetoi edhe një herë se në zonën e rreptësisë është një “vrasës” i vërtetë, një “bomber” tipik.

Një meritë në këtë shkëlqim të “gjelit” ka edhe Carlo Ancelotti i cili besojë tek ai dhe e vendosi në qendër të projektit. Tekniku italian ka ndërtuar ekipin rreth Benzema, frytet janë të qarta, jo vetëm për golat që bën, por lëviz pafund në fushë, ndihmon shumë edhe pjesën tjetër të ekipit.

Me Karim Benzema në super formë, Real Madrid ëndërron titullin e 14-të në Champions League ndërsa Benzema kërkon të ngrejë lart në qiell për herë të 5-të kupën me “veshë të mëdhenj”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb