Mbrëmjen e djeshme Marseja priti në shtëpi klubin grek të PAOK, e vlefshme për kualifikimin e mëtejshëm në “Ligën e Konferencës”. Ndeshja prodhoi pak teksa francezët morën një fitore me rezultat minimal 2-1.
Përpara dhe gjatë ndeshjes, atmosfera në qytet si dhe stadium u karakterizua nga përplasje të ashpra fizike midis tifozëve. Tifozët grek shkaktuan trazira teksa policia vendase ka hedhur gaz lotësjellës në drejtim të tyre për t’i shpërndarë.
“Në ndeshjen e dytë, shpresoj se Marseja do të pritet siç jemi pritur ne këtu”, tha trajneri i PAOK-ut, Razvan Lucescu në një konferencë për shtyp.
“Jam shumë i zhgënjyer me atë që pashë sot, është një imazh shumë i keq për qytetin e Marsejës. Sot ka shumë dhunë në botë, nuk ka nevojë ta ketë në futboll”.
Tifozët e klubeve greke prej vitesh njihen si grupe problematike ku shpesh kryejnë akte huligane dhe në ndeshjet ndërkombëtare. Shpesh kampionati grek i nënshtrohet sanksioneve në lidhje me organizmin e ndeshjeve për shkak se përplasjet jo pak herë kanë numëruar vdekje në radhët e tifozëve.