Autoritetet në Shqipëri dhe Kosovë janë bërë bashkë, duke arrestuar 32 zyrtarë doganorë në pikën kufitare Morinë-Vërmicë.

Mësohet se 14 prej punonjësve të policisë janë vendosur në arrest shtëpie ndërsa tre zyrtarë të tjerë janë pezulluar nga detyra, mes tyre edhe drejtori i Kufirit dhe Migracionit në Kukës.

Sipas informacioneve, rezulton se policët shqiptarë merrnin minimalisht nga qytetarët 10 euro, të cilët i ndanin me njëri-tjetrin, ndërsa fitimet arrinin deri në 8 mijë euro në ditë.

Siç shihet edhe në foton e siguruar nga Gazetasi.al, duket mënyra sesi grumbulloheshin dhe ndaheshin paratë mes punonjësve.

Njëra nga policet, shihet duke numëruar ryshfetin që ka përftuar nga qytetarët, duke shpërdoruar detyrën, ndërsa monitorimi i tyre është kryer nga kamera përgjimi, të vendosura nga prokuroria.

Hetimi nisi në nëntor 2020, 34 masa sigurimi personal

Sipas njoftimit të SPAK, pas një hetimi me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, janë caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar 34 masa sigurimi personal, nga të cilat 32 punonjës të Policisë Kufitare Kukës, me funksione të ndryshme brenda Drejtorisë të Kufirit dhe Migracionit Kukës.

Nga hetimi i nisur që në nëntor të 2020, SPAK thotë se është dokumentuar veprimtaria e kundraligjshme e punonjësve të Policisë së Shtetit në Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin, Kukës gjatë kohës së kryerjes së shërbimit në Pikën e Kalimit Kufitar Morinë, Kukës.

Nga hetimi janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundraligjshme; ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre ne vendet e BE-së.

  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb