Me dy golat e fundit që shënoi kundër Tërbunit (e fituar me shifrat 1-3), Hamdi Salihi shkoi në kuotën e 18 golave, duke kryesuar bindshëm listën e golashënuesve. Në 21 javë kampionat të luajtura në total, “bomberi” ka arritur një kuotë realisht të kënaqshme, por në fakt nuk është ky rekordi i sulmuesit shkodran të bardhekuqve.

Ajo çka i bënë më të veçanta këto shifra lidhet me prezencën e tij në fushë, pasi ai nga 21 javë ka luajtur vetëm 18 takime, duke humbur kështu tri javë nga Superiorja. Praktikisht mbetet në fuqi fakti që sulmuesi shkodran ka shënuar 1 gol në çdo ndeshje. Me këtë mesatare, ai po kërcënon rekordmenin Vioresin Sinani, i cili ka realizuar 36 gola në 36 ndeshje, duke qenë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave. Nëse vijon me këtë ritëm edhe sulmuesi i Skënderbeut, mund t’i afrohet, ose edhe t’ia kalojë. Në të gjitha ndeshjet e zhvilluara në këtë kampionat, në 18 prej tyre ku Salihi ka luajtur, ka zhvilluar në total 1502 minuta lojë, duke e gjetur rrugën e rrjetës, sikundër e thamë, plot 18 herë.

Një fakt i tillë i jep të drejtë shkodranit jo vetëm që të jetë komod në luftën për titullin e golashënuesit me tetë gola më shumë se vendi i dytë i kësaj liste, por të synojë edhe thyerjen e rekordit të një tjetër shkodrani, atë të Sinanit. Ky i fundit në sezonin 2003-2004 shënoi 36 herë në 36 ndeshje të kampionatit. Rekordi i legjendës së futbollit shkodran (autor i 208 golave në kampionate) është tentuar të thyhet brenda një kampionati nga Pero Pejiç, por ky i fundit realizoi vetëm 31 gola.

Shifrat
Shansin që serinë e golave ta niste më herët, Salihi e humbi që në startin e sezonit. Kujtojmë dëmtimin ndaj Vllaznisë, pas 19 minutash në fushë, që e detyroi që të humbiste edhe dy ndeshje të tjera. Ndërsa më vonë, sërish për arsye dëmtimi, humbi edhe një ndeshje ndaj Flamurtarit. Pra, 270 minuta jashtë e kanë penalizuar që të shtojë numrin e rrjetave. Por, nëse do t’i referoheshim gjuhës së statistikave, ai mbetet i frikshëm. Në 18 takime në total dhe 1502 minuta që ka luajtur, ka një mesatare perfekte për një sulmues: shënon 1 gol çdo 83 minuta. Shifër kjo që e bën atë rivalin kryesor të rekordmenit Sinani. Shkodrani u ka shënuar të gjitha ekipeve në Superiore të paktën nga një gol, deri në këtë fazë të sezonit.

Ndërsa “preja” e preferuar prej tij mbetet Laçi, që në 2 takime i ka shënuar 4 gola, por pas nuk mbetet as Tërbuni, që sulmuesi në 3 ndeshje e ka ndëshkuar po me 4 gola./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: