Kancelari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Elbasanit, Ledio Sulkuqi është dhunuar barbarisht në orët e vona të fundjavës, pasi kishte dalë nga një lokal dhe po shkonte në shtëpi.
Kancelari është goditur me mjete të forta në kokë dhe fytyrë në një nga rrugët kryesore në lagjen “Aqif Pasha” të Elbasanit, ku ndodhet edhe shtëpia e tij.
Ngjarja sipas burimeve zyrtare ka ndodhur rreth orës 22:30 të mbrëmjes së diel.
Burime zyrtare bënë me dije se Sulkuqi është goditur me levë në nga dy persona ende të paidentifikuar.
Dyshohet se dhunuesit e kanë ndjekur nga pas për rreth 50 metra dhe sapo 51-vjeçari është futur në rrugicën drejt shtëpisë i janë sulur nga pas duke e goditur disa herë dhe duke i shkaktuar plagë me gjakderdhje.
Si pasojë e goditjeve dhe plagëve Sulkuqi ka humbur ndjenjat dhe në gjendje të tillë është gjetur aty nga kalimtarët që kanë sinjalizuar policinë.
Sulkuqi ndodhet në Spitalin Rajonal Elbasan, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa aktualisht janë shoqëruar të paktën 7 persona.

Elbasan/Informacion paraprak
Më datë 10.04.2022, rreth orës 22:30, në lagjen “Aqif Pasha”, Elbasan, në rrethana ende të paqarta, është goditur me sende të forta në kokë shtetasi L. S., 51 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Elbasan, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
(balkanWeb)
