E vërteta rreth mizorive në Ukrainë do të shfaqet në sallën e gjyqit, pavarësisht përpjekjeve të Moskës për të turbulluar ujërat, tha për The Times kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale teksa vizitoi një varr masiv në Bucha.

“E vërteta shumë shpesh është viktima e parë e luftës,” tha Karim Khan në vizitën e tij të parë në Ukrainë, që pas hapjes e një hetimi për krimet që dyshohet se trupat ruse kanë kryer që pas sulmit.

“Por e vërteta del në fund. Në sallën e gjyqit nuk ka vend për t’u fshehur e vërteta dhe në fund do të triumfojë, pavarësisht nga taktikat që mund të përdoren ose çfarëdo vështirësish dhe pengesash që ekzistojnë”, u shpreh ai.

Khan e bëri komentin e tij ndërsa qëndronte mbi një varr masiv pranë kishës së Shën Andreë në qytet, ku hetuesit po zhvarrosnin disa nga më shumë se 400 trupat e gjetur.

Hetuesit po përpiqen të identifikojnë viktimat, disa prej të cilëve ishin groposur të mbështjellë në  qese të zeza plastike, ndërsa të tjerët ishin të mbështjellë me çarçafë ose të vendosur në llogore dhe të mbuluar me dhe. Mes të identifikuarve janë Iryna Filkina, 52 vjeçe, e cila u vra nga një tank teksa po udhëtonte me biçikletë përgjatë Yablunska në fillim të marsit.

At Andriy Halavin, prifti i St Andrews që takoi Khan sot, tha se puna e hetuesve do të ndihmonte t’i vërtetohej botës çfarë ndodhi me ukrainasit.

“Ata nuk vdiqën vetëm nga shpërthimet, rastësisht, duke qenë në vendin e gabuar në kohën e gabuar, por ata u qëlluan qëllimisht”, tha ai.

“Disa ishin në makina duke udhëtuar, dhe u qëlluan. Disa po ecnin në rrugë, dhe u qëlluan. Është shumë e rëndësishme që e gjithë bota ta shohë të vërtetën, sepse propaganda ruse gjithmonë tregon histori dhe gënjeshtra”, u shpreh ai.

Dje, për herë të parë, Presidenti Biden akuzoi Rusinë për gjenocid në lidhje me vrasjet në Bucha.

Në të njëjtën ditë, Presidenti Putin deklaroi se bisedimet e paqes me Ukrainën ishin “në një rrugë qorre” dhe hodhi poshtë imazhet e tmerrshme nga Bucha duke i cilësuar si “të rreme”, koment ky i cili ishte i pari publik mbi masakrën. Kremlini e quajti masakrën e supozuar “një falsifikim monstruoz” të organizuar nga britanikët për të denigruar ushtrinë ruse.

Khan, megjithatë, tha se Gjykata Ndërkombëtare Penale kishte mbërritur në Ukrainë “sepse ka arsye të forta për të besuar se janë kryer krime të rënda lufte”.

Ai shtoi: Ne duhet të çajmë mjegullën e luftës për të arritur tek e vërteta. Kjo është një kërkesë për drejtësi. Ukraina është një skenë krimi.

Rusia, e cila nuk është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, ka refuzuar t’i përgjigjet hetimeve të prokurorit. Khan tha se objektivi nuk ishte thjesht çuarja në vend e vdekjes së padrejtë, por përpjekja për të ndikuar në rrjedhën e ngjarjeve për mirë, edhe pse Rusia përgatitet për një sulm të ri në rajonin lindor të Donbasit, pasi është tërhequr nga rrethi i Kievit.

Iryna Venediktova, prokurorja e përgjithshme e Ukrainës, tha se autoritetet po merren me më shumë se 6,000 çështje penale kundër trupave ruse që nga fillimi i pushtimit më 24 shkurt, duke shtuar se një pjesë kritike e punës së tyre do të ishte të vërtetonin nëse ishte dhënë ndonjë urdhër sistematik nga Komandantët rusë për mizoritë shumë të ngjashme të dokumentuara në të gjithë territoret e dikurshme nën pushtim.

“Ne kemi shumë informacione,” tha ajo.

“Tani e kuptojmë se ne mund të shohim krime lufte, ne shohim krime kundër njerëzimit, shohim këtu krimin e agresionit. Detyra e madhe përpara ishte të kuptonim se kush vrau civilët dhe kush dha urdhrat”, tha ajo.

Khan tha se Gjykata Ndërkombëtare Penale kishte mbërritur së bashku me një grup mjeko-ligjorë, antropologë mjeko-ligjorë, analistë, hetues dhe avokatë, në mënyrë që të mund të sigurohen dhe të ndajnë të vërtetën nga trillimi dhe të shkojnë para për të këmbëngulur në të drejtat e çdo individi, çdo fëmije, çdo gruaje dhe çdo njeri të ketë jetën e mbrojtur dhe jo në shënjestër të qëllimshme.

“Unë mendoj se ky është detyrimi i të gjithëve ne si njerëzim”, shtoi ai. /Përktheu BalkanWeb/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb