Ish-deputeti i LSI-së dhe më pas i PS-së, Gledion Rahovica rezulton të ketë qenë përfitues nga kontrata e Qeverisë me kompaninë “Integratet Energy BV SPV” në inceneratorin e Tiranës.
I ati i ish-deputetit së bashku me dy të afërm të tjerë kanë nënshkruar një kontratë me kompaninë e inceneratorëve në 17 shkurt 2020 për ti dhënë asaj një pronë me qera në Tiranë në këmbim të një pagese mujore prej 2 mijë eurosh.
Siç rezulton edhe nga dokumenti në fund të vitit 2019 Rehovica ka përfituar kontratën 2 mijë euro në muaj dhe rreth 1 vit më vonë ai vendosi të largohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim për t’u bashkuar me Partinë Socialiste.
Tomor Rahovica, i ati i Gledion Rahovicës, rezulton të jetë një prej tre përfituesve të kësaj kontrate.
Siç rezulton nga kontrata, lloji i pasurisë është truall me sipërfaqe 1858 m2, ku rreth 500 m2 është ndërtesë.
“Afati i dhënies me qera: do të jetë një vit me të drejtë prishje kontrate me njoftim 2 muaj para. Nga deklarimi i palëve, afati i qerasë fillon në datën 1/10/2019 dhe do të vazhdojë për një afat 1 vjeçar me të drejtë rinovimi të saj, me marrëveshje të të dyja palëve. Vlera e qerasë mujore do të jete 2 mijë euro bruto në muaj”, thuhet në kontratë.
(BalkanWeb)