Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka mbajtur këtë të martë një mbledhje, ku u propozuan dhe emrat për Presidentin e ri të Republikës.
Kreu i grupit, Taulant Balla tregoi se si do të ndiqeshin procedurat dhe do të kryhej propozimi i emrave përmes votimit.
Në një nga kushtet e cituara nga Balla ishte që Presidenti duhet të jetë mbi 40 vjeç dhe 10 vitet e fundit të jetë rezident në Shqipëri. Pas kësaj, deputeti i Qarkut të Dibrës, Lavdrim Krashi vendosi duart në kokë, veprim që nuk kaloi pa komentuar nga Balla.
“Presidenti duhet të jetë rezident 10 vitet e fundit në Shqipëri. është një element që kur është shkruar Kushtetuta në vitin 98 nuk ka pasur parasysh këtë lëvizje kaq të madhe. Se shoh Lavdrim Krashin që nuk bie dakord me këtë element. Por nuk është një shpikje shqiptare i dashur Lavdrim, është në të gjitha republikat e ngjashme parlamentare. Na vjen keq nuk mund të kemi një shqiptar që jeton jashtë territorit se duhet të përmbushë këtë kriter”, tha Balla.
Ky reagim i deputetit të Dibrës erdhi pasi Krashi u prezantua gjatë fushatës së zgjedhjeve të 25 prillit si emigranti shqiptar që la pas Britaninë e Madhe për atdheun. I pozicionuar i pari në listë, ai arriti të siguronte një mandat në Parlamentin Shqiptar nga dy që arriti PS të merrte në Qarkun e Dibrës.
(BalkanWeb)
