Përleshjet në rajonin Darfur të Sudanit u përhapën të hënën duke marrë edhe katër jetë të tjera, tha një grup ndihmash, duke e çuar numrin e të vdekurve që nga e premtja në 180.

Darfuri Perëndimor është kapluar nga ditë të tëra luftimesh vdekjeprurëse midis grupeve arabe dhe joarabe, të përqendruara kryesisht në zonën e Kreinik.

Por të hënën ajo u përhap në kryeqytetin e shtetit të Darfurit Perëndimor, Geneina, rreth 80 kilometra nga Kreinik, tha Adam Regal, zëdhënës i Koordinimit të Përgjithshëm për Refugjatët dhe të Zhvendosurit në Darfur, një grup i pavarur ndihme.

“Përplasjet e ripërtërira deri më tani kanë vrarë katër persona dhe kanë plagosur nëntë të tjerë”, tha Regal.

Banori i Geneina, Adam Eissa tha se ai u zgjua nga “zjarri i armëve të rënda” ndërsa një banore tjetër, Fatma Hussein, tha se “nuk ishte në gjendje të dilte nga shtëpia” për shkak të luftimeve.

Dhuna shpërtheu fillimisht të premten kur anëtarë të armatosur të fiseve sulmuan fshatrat e pakicës joarabe Massalit në hakmarrje për vrasjen e dy anëtarëve të fisit, tha grupi i ndihmës.

Të paktën tetë persona u vranë të premten.

Të dielën 168 të tjerë u vranë dhe 98 u plagosën në Kreinik, tha Regal.

Faqja e lajmeve Darfur24 citoi Naser al-Zein, drejtor i komunës Kreinik, tha se midis të vdekurve ishin të paktën 17 fëmijë dhe 27 gra.

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, ose OCHA, tha se ndërtesat qeveritare, një stacion policie dhe spitali i vetëm i Kreinik u sulmuan dhe u dogjën në përleshjet disa orëshe të së dielës.

Luftimet e detyruan agjencinë e ushqimit të OKB-së të pezullojë shpërndarjen e ushqimit të planifikuar këtë javë, duke prekur të paktën 62,850 njerëz të zhvendosur në qytet dhe dy fshatra aty pranë, tha OCHA.

Spitali Mësimor i Genena, ku po trajtoheshin njerëzit e plagosur, u sulmua gjithashtu të dielën me të shtëna që ndodhën brenda objektit, duke përfshirë departamentin e urgjencës, tha organizata bamirëse Mjekët pa Kufi.

Një punonjës i spitalit u vra dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor u evakuuan, tha grupi i cili njihet me akronimin francez MSF.

Regal akuzoi milicinë arabe Janjaweed  e cila u bë e njohur për rolin e saj në shtypjen e një rebelimi të pakicave etnike në Darfur në fillim të viteve 2000 për orkestrimin e sulmeve të fundit.

Shumë anëtarë të Janjaweed janë integruar në Forcat e frikshme paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë, të komanduara nga gjenerali Mohamed Hamdan Daglo, de facto nënkryetar i Sudanit, sipas grupeve të të drejtave.

Në vitin 2003, një luftë e ashpër civile tronditi Darfurin, duke përballur rebelët e pakicave etnike që ankoheshin për diskriminim kundër qeverisë së dominuar nga Arabët nën presidentin e atëhershëm Omar al-Bashir.

Më shumë se 300,000 njerëz u vranë dhe 2.5 milionë u zhvendosën, sipas OKB-së.

Darfuri, i cili mbetet i mbushur me armë, ka parë një rritje të dhunës vdekjeprurëse që nga tetori i vitit të kaluar, të shkaktuar nga mosmarrëveshjet kryesisht për tokën, bagëtinë dhe aksesin në ujë dhe kullotje.

Dhuna e përtërirë në Darfur vjen ndërsa Sudani po përballet me pasojat nga një grusht shteti në tetor të vitit të kaluar, i udhëhequr nga shefi i ushtrisë Abdel Fattah al-Burhan.

Marrja e tij e pushtetit përmbysi një tranzicion drejt sundimit të plotë civil që u vu në lëvizje pas rrëzimit të Bashirit në 2019.

Burhan u takua me zyrtarë të lartë të sigurisë të dielën dhe ata ranë dakord të dërgonin përforcime për të frenuar dhunën, sipas një deklarate të lëshuar pas takimit të tyre.

Kombet e Bashkuara, Britania dhe Shtetet e Bashkuara kanë dënuar dhunën e fundit në Darfur dhe kanë bërë thirrje për një hetim.

Guvernatori i Darfurit Mini Minawi tha të dielën se përleshjet e përsëritura në rajon ishin shpesh për shkak të “ngadalësimit (përgjigjes), bashkëpunimit ose pjesëmarrjes” së forcave të sigurisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb