Amal Clooney, një avokate dhe aktiviste e njohur për të drejtat e njeriut, tha se Ukraina është shndërruar në një “thertore në mes të Evropës” për shkak të luftës së nisur nga Rusia.
Me kërkesë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Francës dhe Shqipërisë, u mbajt një seancë jozyrtare e njohur si “formula-Arria” për të diskutuar për krimet e kryera në Ukrainë.
Amal Clooney, e ftuar në seancë, në fjalën e saj tha se ishte e nderuar dhe konsideroi se është detyrë e saj të ndihmojë qeverinë ukrainase dhe popullin ukrainas që po lufton për lirinë e tij.
“Ukraina është një thertore në mes të Evropës sot”, tha Clooney.
Ajo theksoi se në Ukrainë janë kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.
“Si arritëm në këtë pikë? Ne jemi këtu sepse e kemi injoruar drejtësinë për kaq shumë kohë. Kemi parë shkelje masive të të drejtave të njeriut, tortura dhe përdhunime në Darfur, Mianmar dhe Jemen për një kohë shumë të gjatë. Autorët i kryen këto krime duke besuar se nuk do të paguanin çmimin. Dhe kishin të drejtë”, tha Clooney.
Ajo tha se masakra në Bucha të Ukrainës të kujton masakrat në Siri.
Clooney tha se një gjeneral rus, i njohur si “kasapi”, “vrau njerëz të pafajshëm” në Mariupol pas Halepit.
Aktivistja u bëri thirrje vendeve që të ngrenë padi kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në mbështetje të Ukrainës.
