Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në Kuvendin Kombëtar se rruga e rithemelimit të PD-së që nisi me foltoret si fole e njerëzve të lirisë ishte një rrugë që na iu imponua. Ai akuzoi ish-kreun e PD-së Lulzim Basha se e konsideroi partinë si sipërmarrjen e tij private.

Berisha tha se Basha parimet dhe vlerat konservatore i zëvendësoi me pazaret dhe bizneset me qeverinë.

“Rruga e rithemelimit të PD-së që nisi me foltoret si fole e njerëzve të lirisë ishte një rrugë që na u imponua. Kjo rrugë jetike dhe shpëtimtare për ne në demokracinë e vendit, u imponua sepse ne në 8 vite po kalonim nga disfata në disfatë, nga zhgënjimi në zhgënjim, nga dështimi në dështim. Të gjitha këto për shkak të një udhëheqjeje, të një drejtuesi të papërgjegjshëm, Lulzim Basha i cili e konsideroi këtë parti si sipërmarrjen e tij private.

Parimet dhe vlerat konservatore i zëvendësoi me pazaret dhe bizneset me qeverinë. I cili së fundi përfundoi i ngërthyer nga të gjitha anët dhe u vërsul me tërbim, me vendime, praktika, qëndrime fund e krye antidemokratike. Shkelmoi sovranitetin e PD-së, forumet, statutin, anëtarësinë e saj. Ne pas zgjedhjeve të 25 prillit të cilat ishin zgjedhjet më të dhunuara në historinë e Shqipërisë, ky zotëri në vend se të merrte avokatinë e votës, mbrojtjen e saj, filloi pazaret me narkoqeverinë, votoi borxhet dhe në mënyrën më skandaloze, bllokoi komisionin hetimor të zgjedhjeve duke tradhtuar në këtë mënyrë çdo demokrate dhe demokrat që votoi për PD-në. Në qoftë se këto ishin qëndrime të papërgjegjshme e të dënueshme të drejtuesit të kësaj partie,. përsëri PD-ja për të cilën filluan të flasin se duhet të shuhet sepse ajo është vite larg misionit të saj, sepse është shndërruar në pseudo opozitë, këto nuk ndodhën sepse shqiptarët që e sollën më 25 prill vendosën të mbushin sallat, sheshet dhe të rithemelojnë atë, të shpëtojnë atë dhe demokracinë shqiptare”, deklaroi Berisha.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb