Zbardhen të tjera detaje nga ngjarja që tronditi ditën e djeshme qytezën e vogël të Vittoria-s, në provincën e Raguzës, në Itali, ku një shqiptare u sulmua brutalisht për vdekje me thikë nga një burrë.

37-vjeçarja shqiptare Bruna Muça ndërroi jetë në mes të rrugës, pasi u qëllua disa herë me thikë nga një person, i cili nuk është identifikuar ende. Mediet italiane raportojnë se autori i krimit është zhdukur, duke fshehur gjurmët, si dhe armën, me të cilën kreu krimin e rëndë.

Karabinierët po hetojnë ngjarjen, duke mbledhur dëshmitë e para dhe parë pamjet e kapura nga disa kamera në zonë. Dëshmitarët nga vendi i ngjarjes kanë bërë me dije se autori i sulmit ishte një djalë i ri, i dobët dhe i gjatë.

Policia ka dyshuar te bashkëshorti i viktimës, i cili është thërritur të paraqitet në komisariat dhe sipas mediave vendase ai ka treguar se në momentin kur ndodhi sulmi ai ka qenë në punë. Policia vendase e ka marrë në pyetje për orë me radhë, duke u bërë ai personi i parë që dëshmon për sulmin me thikë që i mori jetën gruas së tij, nënës së dy fëmijëve, një vajze dhe një djali.

Në vendngjarje ndodhet edhe mjekësia ligjore, ndërkohë që dinamika e saktë e krimit nuk është sqaruar ende. Shqiptarja u vra mesditën e djeshme, në Vittoria, ku jetonte bashkë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, vajzën 16 vjeçe dhe djalin 11 vjeç.

Në momentin e krimit, pranë saj ndodhej vetëm djali i mitur, i cili ka mbetur i tronditur. Mediet italiane raportojnë se gjatë orëve të ditës së sotme mund të zbardhen detaje të rëndësishme mbi ngjarjen, teksa pritet të bëhet dhe autopsia e viktimës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb