TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellës Kanalizime Tiranë është liruar sot nga detyra pas problemeve me mbifaturimet e ujit të pijshëm.
Bashkia e Tiranës njofton se Bordi i Asamblesë së Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, me aksionerë Bashkinë e Tiranës, Bashkinë e Kamzës dhe Bashkinë e Vorës, zhvilloi sot një mbledhje emergjente për të verifikuar dhe diskutuar në detaje të gjithë situatën problematike të krijuar ditët e fundit, pas shqetësimeve dhe reagimeve të shumta të qytetarëve lidhur me mbifaturimin e ujit të pijshëm.
“Në mbledhje u vendos ngritja e një komisioni të posaçëm, i cili do të shqyrtojë me përparësi të gjitha rastet e mbifaturimeve të ujit të pijshëm në të katër zonat ku janë hasur problemet, si dhe gjithë situatën e performancës së UKT-së në këto pesë muaj”, deklaron Bashkia.
Po kështu Asambleja vendosi të lirojë nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Ujësjellës-Kanalizime të Tiranës, z. Neritan Gjojdeshi dhe ka emëruar në këtë detyrë z. Redi Molla, i cili ka drejtuar më parë Drejtorinë e Përgjithshme të Punëtorëve të Qytetit Nr. 2 Tiranë.
Lidhur me problemet e faturave abuzive, 3 ditë më parë pati një protestë të banorëve të Kombinatit, të cilës iu bashkua edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai iu premtoi banorëve zgjidhjen e këtij problemi. Po ashtu pati një reagim të kryebashkiakut Erion Veliaj që paralajmëroi mbledhjen e Asamblesë në fillim të kësaj jave dhe anulimin e çdo fature abuzive. Po ashtu Veliaj deklaroi se çdo fajtor do të mbante përgjegjësi.
(m.k/BalkanWeb)
