Ministria e Jashtme e Ukrainës thotë se po punon me vende të tjera si pjesë e fushatës së saj për t’i dhënë fund bllokadës detare ruse të porteve të saj, në mënyrë që eksportet e grurit të rifillojnë.

Kievi thotë se dëshiron që OKB-ja të ndërhyjë për të rivendosur aksesin e saj në Detin e Zi, në mënyrë që të mund të rifillojë dërgesat e prodhimeve bujqësore.

Anijet ruse po pengojnë anijet ukrainase të largohen nga porti që do të thotë se miliona tonë drithë nuk mund të dorëzohen. Shumë vende tani përballen me mungesë gruri dhe mungesa e furnizimit po kontribuon në rritjen e çmimeve për ushqimet kryesore.

“Ne u bëjmë thirrje vendeve, siguria ushqimore e të cilave mund të vuajë më shumë nga agresioni rus kundër Ukrainës, që të përdorin kontaktet e tyre me Moskën për ta detyruar atë të heqë bllokadën e porteve detare të Ukrainës dhe t’i japë fund luftës”, shkroi në Facebook zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Oleg Nikolenko.

Një numër vendesh afrikane janë goditur nga rritja e çmimeve dhe kreu i Bashkimit Afrikan, presidenti senegalez Macky Sall, ka thënë se do të takohet nesër me Vladimir Putinin e Rusisë për të diskutuar krizën. Zyra e tij tha se vizita do të synojë të çlirojë rezervat e drithërave dhe plehrave, si dhe të lehtësojë konfliktin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb