PRISHTINË- Partia Demokratike e Kosovës deklaroi sot se, mbështet zgjedhjen e Presidentit të Republikës në bazë të rezultatit zgjedhor, të arritjes së Marrëveshjes me partnerët e koalicionit, si dhe përfilljen e të gjitha procedurave ligjore dhe kushtetuese.
“Partia Demokratike e Kosovës, mbështet zgjedhjen e Presidentit përmes një procesi transparent, demokratik dhe gjithëpërfshirës”, rithekson partia më e madhe kosovare e koalicionit qeverisës.
Presidenti i ardhshëm i Republikës pritet të kandidohet lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, sipas marrëveshjes së koalicionit të dy partive më të mëdha kosovare, që në 8 e 9 dhjetor 2014 i dha fund situatës së “ngrirë” dhe mundësoi konstituimin e Kuvendit e zgjedhjen e qeverisë gjashtë muaj me humbje kohe pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit, e që si rezultat i saj lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, u bë kryeministër.
Nesër Kuvendi i Kosovës mblidhet për vazhdimin e seancës plenare, të nisur të premten e kaluar, të parën të sesionit pranveror, por nuk është në axhendë zgjedhja e Presidentit të Republikës, por pritet të jetë së shpejti pasi sipas Kushtetutës “zgjedhja duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit”, derisa koha e fundit të mandatit është tash më pak se dy javë.
“Mandati im përfundon më 6 prill 2016”, ka paralajmëruar Presidentja Jahjaga, e cila është zgjedhur në krye të shtetit të Kosovës në 7 prill 2011.
(m.k/BalkanWeb)
