Media serbe Danas, ka zbuluar dokumentacionin e pasqyrës së raportit për kostot e fushatës zgjedhore për Agjencinë Kundër Korrupsionit, ku bëhet një pasqyrim i shpenzimeve të presidentit serb Aleksandar Vuçiç në fushatën e tij presidenciale.

Në këto dokumente sipas Danas, Vuçiç shpenzoi 5.9 milionë në fushatën për presidencën e Serbisë, prej të cilave, TV Pink ka marrë 1.5 milionë euro nga shuma totale, Radiotelevizioni serb ka fituar 662 mijë euro, ndërsa TV Prva është “i treti” me 651 mijë euro.

Agjencia e Reklamave në Media mblodhi 586,000 euro nga fushata presidenciale e Vuçiçit, dhe Happy TV 205,000 euro.

B92 ka fituar 154 mijë euro, ndërsa Studio B 99 600 euro. Rreth 92 mijë euro fitoi edhe Adria Media.

Kjo do të thotë se presidenti Vuçiç ka shpenzuar rreth katër milionë për promovimin e tij në televizion.

Sa i përket shtypit të shkruar, gazeta Kurir është “pasuruar” më së shumti në fushatë, me rreth 132 mijë euro, ndërsa është në vendin e dytë për nga shuma e parave të marra nga ekipi i Vuçiçit, Informer me rreth 114 mijë.

Gazeta Srpski Telegraf nga zgjedhja e Vuçiçit për president ka fituar 82.300 euro, ndërsa gazeta Blic 58.500 euro. Nga ana tjetër Gazeta Alo ka “fituar” rreth 35 mijë e 800 euro nga Vuçiç në fushatën presidenciale.

Kjo do të thotë se shifra e përgjithshme që ekipi i presidentit të rizgjedhur të Serbisë ka investuar për promovimin e tij në median e shkruar është 422 mijë euro.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb