Një shef kryesor i një linje ajrore ka ndezur një debat të ashpër pasi iu bëri thirrje pilotëve që të vazhdojnë të punojnë edhe nëse janë ‘të lodhur’.
Jozsef Varadi, shefi ekzekutiv i Wizz Air, është vënë nën shënjestrën e kritikave pasi i bëri thirrje stafit për të ulur ‘shkallën e lodhjes’ të kompanisë.
Në një video të publikuar nga Daily Mail, shefi i linjës ajrore buxhetore dëgjohej teksa thoshte; “Ne të gjithë jemi të lodhur, por ndonjëherë kërkohet të bëjmë një milje shtesë. Ne nuk mund ta drejtojmë këtë biznes kur çdo i pesti person i një baze raporton sëmundje sepse personi është i lodhur. Dëmi është i madh kur anulojmë fluturimin. Është dëmtimi i reputacionit të markës. Por është dhe një dëm tjetër financiar sepse ne duhet të paguajmë dëmshpërblim për këtë.
Wizz Air është detyruar të heqë dhjetëra fluturime në javët e fundit mes mungesës së stafit dhe ndërprerjes më të gjerë të udhëtimeve në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.
Mbrëmë Martin Chalk, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Pilotëve të Linjave Ajrore Britanike, dënoi komentet e z. Varadi, duke thënë: “Jam i shokuar që një CEO i linjës ajrore do të këshillonte veprime në kundërshtim me kulturën bazë të sigurisë. “Unë do t’i bëj thirrje z. Varadi të sqarojë me shpejtësi se Wizz Air do të mbështesë plotësisht çdo pilot që bën gjënë e duhur për sigurinë e pasagjerëve, ekuipazhit dhe avionit të tyre duke mos fluturuar nëse janë të lodhur.”
Polemika vjen pasi kompania me bazë në Hungari njoftoi se kishte grumbulluar humbje prej 550 milionë funtesh për 12 muajt deri në fund të marsit – megjithëse të ardhurat u dyfishuan në 1.4 miliardë paund. Më shumë se 27 milionë pasagjerë fluturuan me Wizz Air vitin e kaluar – nga 17 milionë një vit më parë. Në një fjalim optimist, Varadi tha se ai pret që linja ajrore të ofrojë “programin e saj më të madh të fluturimit veror ndonjëherë dhe rritjen më të shpejtë në industri”.
