* Ministri Tahiri e informon në Bruksel
BRUKSEL – “Shpresoj të mos ketë bojkot të Parlamentit por dialog mes palësh”. Kështu është shprehur sot europarlamentari Knut Fleckenstein pasi është informuar mbi rastin ‘Armando Prenga’, cështje për të cilën opozita ka zyrtarizuar bojkotin ndaj komisioneve parlamentare.
Në vijim të takimeve të nivelit të lartë, ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri zhvilluoi sot një takim me Europarlamentarin Knut Fleckenstein, njëkohësisht Raporter për Shqipërinë, kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në Shqipëri e ku Ministri ka raportuar për progresin e bërë në prioritet e mbuluara nga Ministria e Punëve të Brendshme. Pas takimit, të dy zyrtarët e lartë dhanë një prononcim për mediat.
I pyetur nëse është njohur me draftrezolutën për Shqipërinë e cila do të amendohet dhe nëse ka diçka që do t’i shtohet asaj, Knut Fleckenstein u shpreh; “Mundet. Do e shoh me vëmendje. Ministri solli në vëmendje disa pika kyçe të cilat unë do i pasqyroj në raportim. Mendoj se raportimi rendit suksesin e qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, edhe pse të gjithë biem dakord se shumë mbetet për të bërë. Më duhet të shoh nëse i kemi mbajtur shënim të gjitha pikat në mënyrën e duhur”.
Po kështu raporteri sqaroi se i ka kërkuar ministrit Tahiri ta informojë mbi cështjen ‘Prenga’.
“I kërkova ministrit si është çështja e zotit Prenga, sepse kjo është një nga lajmet që na janë referuar për shembull. Ne ramë dakord që palët të vijojnë dialogun për dekriminalizimin. Sepse shqetësimi i këtushëm është që ky ligj nuk po zbatohet për shkak të mungesës së akteve nënligjore. ”.
Kurse pyetjes se është folur për mundësinë e një bojkoti parlamentar nga ana e opozitës dhe se cili është qëndrimi i i tij, Fleckenstein u përgjigj shkurt; “Shpresoj të mos ketë bojkot të Parlamentit por dialog mes palësh”.
Një ditë më parë, kryetari i PD-së Lulzim Basha paralajmëroi bllokimin e Kuvendit në rast se mazhoranca nuk fut në fuqi Ligjin e Dekriminalizimit dhe të largojë nga Kuvendi, deputetë me precedentë penale si Armando Prenga dhe ata që kanë përdorur fondet publike.
Mbi biseden me Fleckenstein, nga ana e tij, Tahiri theksoi se ka biseduar me raporterin mbi reformat që ka ndërmarrë qeveria në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të reformimin të sistemit të sigurisë në tërësi. “Por edhe mbi reformat e gjithanshme të ndërmarra nga qeveria, të cilat garantojnë rezultate të qëndrueshme në kohë, në raport me luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor’, shtoi ai.
Pyetjes, ‘a u ndjetë ju në një pozitë të vështirë kur ju bënë pyetje lidhur me rastin “Prenga”, Tahiri u shpreh se kur flitet për ‘pastërtinë e figurës’, flitet për standart dhe jo për emra konkretë.
“Unë besoj që integriteti i klasës politike shprehur në ligjin “Për pastërtinë e figurës” (qoftë kur bëhet fjalë për ata që janë të zgjedhur, qoftë kur bëhet fjalë për ata që janë të emëruar) nuk është më çështje e preferencës politike, por është çështje e zbatimit të ligjit. Në këtë kuadër, çështja nuk është tek emrat konkretë, por te vullneti për të miratuar aktet nënligjore të ligjit. Në mënyrë që ne të vendosim një standard. Dhe ky standard t’i dedikohet kujtdo, e t’i bindet kushdo”.
Sipas ministrit, zgjidhja në këtë rast nuk është një mision politik me emra të veçantë, por është miratimi i akteve nënligjore.
“Prandaj është opozita e ftuar në tryezën parlamentare: për të zgjidhur dhe miratuar sa më shpejt aktet nënligjore që do të bënin efektiv zbatimin e ligjit. Unë besoj kjo është mënyra më e mirë për të zgjidhur këtë problem. Dhe duke iu referuar rastit konkret, PS dhe grupi parlamentar i PS, qeveria dhe maxhoranca kanë ndërmarrë aktet e duhura politike për të dënuar siç duhet aktin dhe për të bërë ç’është e mundur që ky shembull të kthehet, jo në një bojkot politik. Pra unë e shoh kërcënimin për bojkot, kur duhet të ishte e kundërta”.
(d.b/BalkanWeb)
