Policia e Shtetit zbardh detaje nga zbulimi i depos në Yzberisht, ku modifikoheshin armë e municione.

Në një konferencë për media, policia tha se armët e gjetura në depo siguroheshin nga persona me të shkuar kriminale dhe shiteshin për kryerjen e vrasjeve.

“Nga hetimet dyshohet se këto armë siguroheshin nga persona me të shkuar kriminale dhe shiteshin për kryerjen e veprave kriminale kundër personit”, tha kreu i policisë së Tiranës.

Pjesë nga deklarata e policisë:

Të gjitha armët dhe sendet e tjera të sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme, për të vërtetuar nëse këto armë janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë.

Theksojmë se aksesorët për modifikimin e armëve dhe silenciatorëve vijnë në rrugë ilegale, nga jashtë vendit.

Strukturat hetimore të Sektorit për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal që cënon rëndë rendin dhe sigurinë publike dhe sigurinë e jetës së qytetarëve.

Po punohet intensivisht, në bashkëpunim dhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, për të zbardhur këtë aktivitet kriminal, pasi nga hetimet e deritanishme dyshohet se këto armë bliheshin nga persona me precedent të theksuar kriminal, anëtarë të grupeve kriminale, me qëllim kryerjen e veprave të rënda penale kundër personit.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, po punon intensivisht duke angazhuar specialistët më të mirë të Policisë Kriminale, me qëllim zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.

Garantojmë qytetarët se Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e vendosur për të luftuar pa kompromis krimin në përgjithsësi dhe atë të organizuar në veçanti dhe në këtë kuadër kërkon edhe një herë bashkëpunimin e qytetarëve për të denoncuar në Komisariatin Dixhital dhe në 112, çdo rast të paligjshmërisë, me qëllim krijimin e një ambienti social sa më të sigurt.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb