Presidenti rus Vladimir Putin, në fjalën që po mban në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petersburg, u është drejtuar biznesmenëve vendas, duke u kërkuar që të investojnë në Rusi.

“Investoni këtu. Është më e sigurt në shtëpinë tuaj. Ata që nuk donin ta dëgjonin këtë, kanë humbur miliona jashtë vendit “, është shprehur ai ndërsa shtoi se në Rusi ka “potencial të madh” për investimet.

Lideri rus deklaroi se Rusia do të zhvillohet si një ekonomi e hapur dhe nuk do të ecë kurrë në rrugën e izolimit, pavarësisht sanksioneve të pashembullta të vendosura nga Perëndimi pas pushtimit të Ukrainës nga Moska.

Putin thotë se Rusia do të vazhdojë të merret me kompanitë perëndimore dhe se ai shpreson se flukset e eksportit të gazit do të rriten përmes rrugëve të reja.

Ai shton se Rusia do të vazhdojë të zgjerojë bashkëpunimin ekonomik “me ata që e duan”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb