TIRANE – Kreu i këshilltarëve demokratë në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Leonard Olli akuzon kryebashkiakun Erion Veliaj se po mashtron qytetarët, duke prezantuar si të tijat projekte të nisura nga administrata Basha. Sipas Ollit, në 7 muaj në krye të bashkisë Veliaj ka vetëm një arritje rekord: atë të mashtrimit!

“Edhe sot Veliaj u shfaq në stilin e tij të propagandës boshe duke prezantuar një projekt të nisur nga administrata Basha, me fonde të Bashkimit Europian. Për t’ i bërë me dije kryebashkiakut mjeran që nuk është i aftë as të marrë informacion për investimet, para dhe kur del për shoë, i them se, me një investim prej 3.5 milionë euro nga fondet e BE punimet për ndërtimin e shkollës e integruar, qendrës sociale si dhe rindërtimi i 18 rrugëve kanë më shumë se një vit që kanë filluar zbatimin. Projekti për ndërtimin e shkollës dhe qendrës sociale është konceptuar me tre godina. Godina e shkollës është projektuar për një kapacitet prej 600 nxënësish, ku përfshihen klasa, laboratorë dhe 3 fusha sportive të jashtme, një palestër, ambiente për administratën dhe për shërbime të ndryshme. Godina e “kopësht – çerdhe” është projektuar për një total prej 140 fëmijësh, ku janë 7 klasa me nga 20 nxënës. Godina e qendrës sociale është me 2 kate dhe është projektuar për t’iu përgjigjur nevojave të gjithë komunitetit. Të gjitha ndërtesat do të jenë të pajisura me sistem ngrohje/ftohje dhe me të gjitha rrjetet e nevojshme për një funksionim sa më të mirë.”- deklaroi Olli.

Sipas tij, “projekti për rikualifikimin urban parashikon ndërtimin e 18 rrugëve dytësore, me muret rrethuese të shtëpive me kangjella, një standard i ri i vendosur nga administrata Basha. Gjithashtu, prej asaj kohe, kanë nisur punimet edhe për rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza, duke bërë të mundur lidhjen e të gjitha ndërtesave përreth si dhe spostimin e linjave të energjisë elektrike”.

“Në 7 muaj në krye të bashkisë Veliaj ka vetëm një arritje rekord: atë të mashtrimit! Premtoi se nuk do të rriste taksat, por i dhjetëfishoi. Premtoi se sa të ishte kryetar nuk do të rriste çmimin e biletës se autobusëve urbanë, por e rriti me 33%. U zotua se do të shtonte gjelbërimin, por e ka reduktuar ndjeshëm sipërfaqen e gjelbër në projektin e Bulevardit të ri, po betonizon Parkun e Liqenit dhe parkun Rinia, duke kafshuar me tërbim te vetmet mushkër të gjelbërta të kryeqytetit.”- përfundoi Olli.

(er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: