MAQEDONI– Pas thirrjes së këshilltarëve shqiptarë në Komunën e Butelit të Maqedonisë, si dhe reagimet e shumta të qytetarëve për të kundërshtuar vendosjen e kryqit, sot u mbajt një protestë. Protesta u organizua në shenjë revolte dhe në tentim për të penguar vendosjen e gurë-themelit të kryqit.
Një numër i madh i qytetarëve tanimë janë mbledhur tek rreth-rrotullimi, lokacioni ku është paraparë vendosja e kryqit. Në protestë janë vërejtur edhe zyrtarë të lartë të BDI-së si nënkryetari i saj Izet Mexhiti, zv ministri i mbrojtjes Ilmi Selami,deputetja Ermira Mehmeti, deputeti Artan Grubi, kryetari i degës së Çairit Beqir Asani dhe të tjerë.
Nnënkryetari i BDI-së Izet Mexhiti theksoi se kryqat u takojnë kishave dhe minaret u takojnë xhamive. Sipas tij, as njëra e as tjetra nuk e kanë vendin në rrugë.
“Ato i dëgjova të thonë se kryqi u takon edhe shqiptarëve ortodoksë, pasi janë mërzitur aq shumë për vëllezërit tonë ortodoks, atëherë është e udhës të bëjnë një kishë ortodokse shqiptare , të ndajnë një lokacion për kishë ortodokse shqiptare dhe kryqi le të vendoset aty”.
Derisa deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti në protestën e sotme porositi që kryqe të vendosen andej urës, ndërsa këndej urës të ruhet multietniciteti i Maqedonisë. Ajo ndërmjet tjerash theksoi se është për ruajtjen e Maqedonisë multietnike dhe ka guxim ta thotë këtë, prandaj edhe ka dal për të protestuar.
Banorët shqiptarë të lagjes së Butelit mendojnë se vendosja e kryqit në lagjen e tyre bëhet si shkak për hakmarrje ndaj statujës së shqiponjës të vendosur në Fushë Tophanë.
(el.sp/BalkanWeb)
