Marketingu sa vjen edhe është më i pranishëm në jetën tonë dhe ruan një rol shumë të rëndësishëm në shumë ndërmarrje që janë në treg sot. Por patjetër që një rëndësi të madhe ka edhe në futboll, pasi një ekip me shumë ndjekës në rrjete sociale, patjetër që ka një impakt më të madh, çka tërheq edhe më lehtësisht rreth vetes sponsorë. Në Shqipëri, ekipet e futbollit, duke iu referuar faqeve zyrtare të klubit, përdorin më shumë rrjetin “Facebook” dhe “Instagram”.
Jemi me pushime dhe kampionatet e sezonit të ri fillojnë pas datës 20 gusht. Por nëse do të paraqisnim një renditje, se faqet e cilit ekip janë më të ndjekura në këto rrjete, do të shohim që në “Facebook” dominon skuadra e Partizanit, e cila ka 196 mijë persona që e ndjekin, që pasohet nga Skënderbeu me 164 mijë dhe Tirana me 101 mijë. Më poshtë renditen Dinamo, Korabi, Laçi, Lushnja, Kukësi, Teuta dhe Vllaznia.

Ndërkohë, në “Instagram” kampionatin e fiton Tirana me 45 mijë persona si ndjekës, më poshtë vjen Partizani me 38 mijë dhe podiumin e mbyllin korçarët me 23 mijë.

Le të shikojmë pak situatën në Youtube. Edhe pse janë kampionët e Shqipërisë, Tirana ka një vit që nuk ka postuar Video. Një mangësi kjo, e cila tregon vërtetë shumë.

Partizani, si duket, i kushton rëndësi Youtube-t. Publikimi i fundit i të kuqve është para 2 ditësh dhe ka të bëjë me përmbledhjen e sfidës së fituar 0-1 ndaj Saburtalos në Conference League. Madje, kryeqytetasit janë mjaft aktivë, pasi në kanalin zyrtar mund të gjesh pjesë nga stërvitja, intervista të ndryshme, apo miqësore vere.

(BalkanWeb)
