Cristiano Ronaldo nuk i është bashkuar ende ekipit të Manchester United, me sulmuesin portugez që vijon të justifikohet se ka çështje familjare. Shumë media prestigjoze shkruajnë për një largim të yllit botëror.
Por ai që frenon të gjithë është trajneri Erik Ten Hag, i cili nuk duket se ka as më të voglin dyshim për të ardhmen e Ronaldos, duke deklaruar “Cristiano nuk është në shitje. Ai nuk është me ne për shkak të çështjeve personale, por ne po planifikojmë sezonin me të, kaq. Si ta bëjmë të lumtur? Nuk e di, por mezi pres të filloj të punoj me të.” Këto ishin fjalët e teknikut holandez për Ronaldon.
Menaxheri i ri i Djajve të Kuq largon kështu portugezin nga merkato dhe përpiqet të heshtë thashethemet për largim. Veçanërisht mediat angleze e lidhnin shumë afër Chelseat, ku do të kishte mundësi të luante Champions League.
Ten Hag saktësoi se kishte folur drejtpërdrejt me CR7-n: “Kam folur me Cristianon përpara se të dilte ky problem personal dhe pata një bisedë të mirë me të. Ai nuk më tha se donte të largohej. Ne duam të të arrijmë suksese së bashku” – konfirmoi trajneri i Manchester United.
(BalkanWeb)
